Gashi dhe Gjoktas: Angazhime të përbashkëta për përforcimin e familjes
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka pritur në Kuvend ministren e Familjes dhe Shërbimeve Sociale të Republikës së Turqisë, Mahinur Özdemir Göktaş.
Sipas Gashit, gjatë takimit u diskutua për politikat sociale, mbrojtjen dhe fuqizimin e familjes, si dhe për mundësitë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.
Gashi theksoi se takimi shërbeu edhe për të riafirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore ndërmjet dy vendeve, të cilat, sipas tij, dëshmojnë lidhjet e forta dhe përbëjnë një bazë të rëndësishme për një partneritet të qëndrueshëm.
“Vëmendje të veçantë i kushtuam forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit institucional dhe parlamentar, si një kontribut i rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe”, deklaroi Gashi.
Kryetari i Kuvendit e falënderoi ministren turke për vizitën, duke shprehur bindjen se takime të tilla mund të kontribuojnë në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe në hartimin e iniciativave të reja konkrete, në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.

