(VIDEO) Mashtrime gjatë regjistrimit të automjeteve, përvetësuan 2,2 mln euro, prokuroria nis hetimin ndaj 6 personave
Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur hetim ndaj gjashtë personave fizikë dhe dy personave juridikë, të dyshuar për përvetësim dhe pastrim të mbi 2.2 milionë eurove. Në mesin e të dyshuarve është pronari dhe drejtuesi i një subjekti juridik nga fshati Kuçevishte. Për përfshirje në rast dyshohen edhe dy anëtarë ekzekutivë të Bordit të Drejtorëve të kësaj shoqërie, si dhe një kontabilist i autorizuar. Ndërkohë, drejtuesi i një stacioni për kontroll teknik dhe zëvendësdrejtoresha për financa në Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore dyshohen se kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Përvetësim në detyrë”. Hetimi përfshin edhe dy persona juridikë, të cilët dyshohen për veprën penale “Pastrimi i parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale”.
Prokuroria kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
“Gjatë periudhës nga 1 janari 2021 deri më 20 janar 2026, i dyshuari i parë, me qëllim për të siguruar për vete përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka përvetësuar 138 milionë denarë, ndërsa të dyshuarit e tjerë me dashje e kanë ndihmuar në kryerjen dhe fshehjen e veprës penale”.
Për të fshehur origjinën e parave, tarifat e arkëtuara depozitoheshin në llogaritë e një shoqërie brokerimi sigurimesh dhe më pas transferoheshin ndërmjet personave juridikë, duke u përzier me të ardhurat e rregullta. Një pjesë e mjeteve dyshohet se është përdorur edhe për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Prokuroria kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
“Zëvendësdrejtoresha për financa në Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, megjithëse kishte për detyrë të ndiqte arkëtimin e tarifave dhe të kontrollonte raportet e dorëzuara, me vetëdije nuk ndërmori veprimet e nevojshme. Për më tepër, ajo e informonte drejtuesin e dyshuar të stacionit të kontrollit teknik për shumat e arkëtuara në llogarinë e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, në vend që personi juridik të dorëzonte raporte mujore pranë ndërmarrjes.”.
Për të siguruar praninë e të dyshuarve gjatë procedurës hetimore, prokurori publik ka paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për tre të dyshuar. Për një të dyshuar tjetër janë kërkuar masa kujdesi.
Teuta Buçi /SHENJA/

