(VIDEO) Kosovë, Prokuroria Speciale dorëzoi aktakuzë për krimet e luftës në Prekaz
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dhënë detaje për dorëzimin e aktakuzës për krime lufte të kryera në lagjen e Jasharajve, në Prekaz gjatë ngjarjeve të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998. Të pandehurit u përkasin pozitave të larta komanduese të strukturave të njësive speciale të policisë serbe dhe të njëjtit akuzohen për vrasjen e civilëve. Prokurori i rastit, Valdet Gashi, ka zbuluar edhe emrin e udhëheqësit të Njësisë për Operacione Speciale që sulmoi shtëpinë e familjes Jashari. Bëhet fjalë për legjionarin famëkeq Milorad Ulemak -Legija, i cili është edhe vrasësi i ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjiq.
VALDET GASHI, PROKUROR
“Departamenti i Sigurisë Publike ka qenë i kuadruar domethënë në këtë aksion, mandej Ministria e Punëve të Brendshme, Departamenti i Sigurisë Shtetërore dhe në kuadër të Departamentit të Sigurisë Shtetërore ka qenë edhe Njësia për Operacione Speciale e Serbisë. Këtë nuk desha ta thëm më herët sepse thashë do ta lexojmë në aktakuzë, por po e bëj publike që këtë Njësi për Operacione Speciale e ka udhëhequr Milorad Ulemek ‘Legija’, i cili, atë që thashë më herët, e ka pasur për obligim dhe për detyrë dhe me kërkesën e tij speciale domethënë që ta sulmojë drejtpërdrejt shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit. Kështu edhe ka ndodhur edhe në terren“
Sipas informacioneve të Prokurorisë Speciale, të gjithë të pandehurit për vrasjen e civilëve në Prekaz janë të gjallë. /SHENJA/

