(VIDEO) Edhe 5 raste të reja me Ethet e Nilit, shkon në 55 numri i të infektuarve

(VIDEO) Edhe 5 raste të reja me Ethet e Nilit, shkon në 55 numri i të infektuarve

Gjithsej 55 raste të etheve të Nilit Perëndimor janë regjistruar deri tani në vend, prej tyre 53 janë të konfirmuara, ndërsa 52 persona janë hospitalizuar, bëri të ditur në konferencën e sotme për media ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski. Ai njoftoi se gjatë javës së fundit janë regjistruar 5 raste, prej të cilëve 2 nuk janë konfirmuar. Sipas Klekovskit kjo paraqet një ulje krahasuar me tre javët e mëparshme, kur ishin regjistruar nga 9 deri në 11 raste. Ai tha se ndryshime ka edhe sa i përket shpërndarjes gjeografike, ku rastet e fundit të etheve të Nilit Perëndimor në Shkup vijnë nga pjesa veriore dhe verilindore e qytetit, ndryshe nga më parë, kur rastet ishin regjistruar kryesisht në pjesën jugore të qytetit.

MARKETING

Description of image

SASHO KLEKOVSKI, MINISTËR I SHËNDETËSISË

“Gjendja aktuale është 19 persona të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, prej të cilëve 17 raste janë të konfirmuara, ndërsa dy janë të pakonfirmuara . Shkalla e vdekshmërisë deri tani është 11.5 %, ndërsa kohëzgjatja mesatare e trajtimit është 14 ditë. Trajtimi më i gjatë ka zgjatur 29 ditë, ndërsa pacienti që është liruar më shpejt nga spitali është  pas 8 ditësh”.

Drejtori i Klinikës Infektive Fadil Cana, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, njoftoi se aktualisht në Klinikë, në repartin e kujdesit ntensive, ndodhen pesë pacientë.

FADIL CANA, DREJTOR I KLINIKËS INFEKTIVE

“Aktualisht, në Klinikën për Sëmundje Infektive, në repartin e kujdesit intensiv ndodhen 5 pacientë, të gjithë në gjendje të rëndë klinike. Tre prej pacientëve  u është hequr tubi i frymëmarrjes, që do të thotë se gjendja e tyre klinike është përmirësuar ndjeshëm dhe pritet që të shërohen shpejtë. Për momentin, dy pacientë vazhdojnë të jenë në respirator dhe ndodhen në gjendje shumë të rëndë. Ndërkohë, pacientët e tjerë, pasi gjithsej aktualisht janë të hospitalizuar 19 persona, janë në gjendje të mirë shëndetësore”.

Sipas të dhënave të autoriteteve mjekësore, pacientët me formën më të rëndë klinike ishin në moshë të shtyrë dhe bëhej fjalë për pacientë që kishin mjaft sëmundje shoqëruese dhe të gjithë pacientët që janë hospitalizuar kanë qenë mbi 60 vjeç, ndërsa mosha mesatare në momentin e hospitalizimit ishte 66.8 vjeç. Sipas tyre deri tani, 28 pacientë janë shëruar dhe janë liruar për në shtëpi.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING