Ambasada turke në Shkup organizon pritje solemne me rastin e Ditës së Fitores
Ambasada e Turqisë në Shkup ka organizuar një pritje solemne me rastin e Ditës së Fitores, që shënohet më 30 gusht në Turqi për të shënuar betejën përfundimtare në Anadollin perëndimor kundër forcave greke në vitin 1922, raporton Anadolu.
Pritja u organizua nën kujdesin e ambasadorit turk, Fatih Ulusoy, në rezidencën e ambasadës në Shkup, ndërsa të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ministri pa resor, Zulqifar Zejnulla, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, Sashko Lafçiski, përfaqësues të partive politike në vend, përfaqësues të institucioneve turke në vend, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Programi kushtuar shënimit të kësaj dite filloi me 1 minutë heshtje në nder të viktimave të anijes që u përmbys në Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC), si dhe me intonimin e himneve kombëtare të të dyja vendeve.
Duke nderuar Mustafa Kemal Ataturkun dhe bashkëluftëtarët e tij, ambasadori Ulusoy tha se “qasja ‘Paqe në atdhe, paqe në botë’ është një nga parimet më themelore të politikës sonë të jashtme.”
“Produktet turke të industrisë së mbrojtjes eksportohen në 185 vende, përfshirë vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së, ndërsa eksportet në fushën e mbrojtjes dhe të industrisë së aviacionit kanë arritur në 10 miliardë dollarë”, tha ai.
Duke theksuar se Maqedonia e Veriut dhe Turqia janë vende mike dhe aleate, ai tha: “Stërvitjet e përbashkëta, trajnimet dhe donacionet për ushtrinë maqedonase përbëjnë një tregues konkret të marrëdhënieve tona ushtarake me Maqedoninë e Veriut, të cilën e kemi mbështetur gjithmonë që nga pavarësia e saj”.
“Një pjesë të rëndësishme të punës sonë, pa dyshim, e përbënin bashkëkombësit tanë dhe çështjet që i prekin ata. Në këtë kuadër, duke vizituar vendet ku jeton komuniteti turk në Maqedoni të Veriut, nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, pata kënaqësinë të takohem me bashkëkombësit tanë”, deklaroi ai.
Gjatë programit u lexua edhe mesazhi i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan për Ditën e Fitores.
Dita e Fitores u kushtohet Forcave të Armatosura të Turqisë, që zhvilluan Betejën e Dumlupinarit nga 26 deri më 30 gusht në atë që sot është provinca qendrore turke Kutahya, ku ushtria pushtuese greke u mund në mënyrë vendimtare.
Deri në fund të vitit 1922, të gjitha forcat e huaja ishin dëbuar nga territoret që një vit më vonë do të formonin Republikën e Turqisë.

