(VIDEO) Kitanoviq e quan Mlladiqin “shpëtimtar”, partitë shqiptare kundërshtojnë
Ratko Mlladiq, një emër që shumë njerëz nuk duan as ta dëgjojnë, mbetet temë e diskutimit edhe tri ditë pasi ndërroi jetë. I dënuari për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, si dhe për vrasjen e mijëra civilëve të pafajshëm, ndërroi jetë të enjten në Hagë, teksa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Megjithatë, për dikë, ai vazhdon të mbetet “gjeneral”. Figura e tij ende perceptohet në disa qarqe nacionaliste serbe si një simbol ushtarak dhe hero, pavarësisht dënimit për disa nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Të tillë e konsideron partia serbe e Ivan Stoilkoviqit, ministrit të Vetëqeverisjes Lokale si dhe drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas BDI-së, glorifikimi i kriminelëve të luftës nga partnerët e VLEN-it nuk është një incident i izoluar, por është pjesë e një politike të heshtjes, tolerancës dhe nënshtrimit ndaj partnerëve të pushtetit.
BDI
“VLEN-i nuk mund të fshihet më pas një reagimi në Facebook. Heshtja përballë glorifikimit të gjenocidit është tolerancë, ndërsa toleranca në pushtet është bashkëpërgjegjësi. Historia do ta mbajë mend këtë histori të përbashkët të VLEN-it me partnerët e tij: heshtje përballë glorifikimit të kriminelëve dhe nënshtrim përballë pushtetit”.
Edhe partia tjetër opozitare LSDM kërkon reagim nga Prokuroria që të kërkoj përgjegjësi penale për ato që e justifikojnë gjenocidin.
Keti Shterjova, LSDM
“Miratimi ose justifikimi i gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës është një krim. Dhe për këtë duhet të ketë përgjegjësi. Neni 407-a i Kodit Penal parashikon përgjegjësi për ‘Miratimin ose justifikimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit ose krimeve të luftës’.
Edhe Partia Liberal-Demokrate kërkoi nga Qeveria të distancohet publikisht nga glorifikimi i Ratko Mlladiqit.
PLD
“Për gjenocidin nuk ka ‘një anë tjetër të historisë’ kur faktet janë përcaktuar me aktgjykime të formës së prerë të gjykatave ndërkombëtare. Nuk mundet Maqedonia para Brukselit të thirret në vlerat evropiane, ndërsa brenda vendit Qeveria të heshtë kur zyrtarët e saj marrin pjesë në madhështimin e një personi të dënuar për gjenocid”.
Partia shqiptare në pushtet VLEN gjithashtu dënoi fuqishëm çdo glorifikim të siç thonë ata, çetnikëve dhe veçanërisht të Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid dhe krime të tjera të rënda dhe kërkuan përgjegjësi të menjëhershme.
VLEN
“Akoma më shqetësuese është kur përmbajtje të tilla publikohen nga drejtuesi i një institucioni që ka për detyrë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera. Kjo nuk është çështje shijesh apo bindjesh personale. Është çështje e standardeve të një zyrtari publik dhe e mesazhit që institucionet ua dërgojnë qytetarëve”.
Partia e Ivan Stoilkoviqit ka publikuar një mesazh që glorifikon Ratko Mlladiqin, duke e paraqitur atë si „shpëtimtar të popullit serb në Bosnjë“. Në mesazh thuhet se Mlladiqi „e donte popullin e tij“, se „i shërbeu gjatë gjithë jetës“ dhe se “e shpëtoi popullin serb në Bosnjë nga gjenocidi“, ndërsa gjykimi ndaj tij në Hagë cilësohet si „i padrejtë“ dhe „i politizuar“.
Kurse Drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq shpërndau një publikim me përmbajtje glorifikuese ndaj figurave çetnike dhe ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq i njohur si “Kasapi i Ballkanit” për krimet e kryera.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

