Mucunski: Maqedonia e Veriut synon të bëhet portë hyrëse për turistët dhe investitorët izraelitë në Evropë

Mucunski: Maqedonia e Veriut synon të bëhet portë hyrëse për turistët dhe investitorët izraelitë në Evropë

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në një intervistë për gazetën izraelite “The Jerusalem Post”, gjatë vizitës së tij të parë në Izrael në cilësinë e ministrit, theksoi potencialin e Maqedonisë së Veriut për t’u pozicionuar si një pikë e rëndësishme hyrëse drejt Evropës për turistët, kompanitë dhe investitorët izraelitë.

MARKETING

Description of image

Një nga çështjet kryesore të diskutuara gjatë vizitës ishte mundësia e vendosjes së një linje ajrore direkte ndërmjet Tel Avivit dhe Shkupit, ose Tel Avivit dhe Ohrit. Sipas Mucunski, një lidhje e tillë do të kontribuonte në rritjen e shkëmbimit turistik, forcimin e kontakteve afariste dhe thellimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet dy vendeve.

“Një nga temat e para për të cilat diskutuam ishte mundësia e vendosjes së një linje ajrore direkte mes Tel Avivit dhe Shkupit ose Tel Avivit dhe Ohrit, i cili është qendra jonë kryesore turistike dhe qyteti që, besoj, çdo izraelit do të dëshironte ta vizitonte”, deklaroi Mucunski.

Megjithatë, sipas ministrit, ambicia e Maqedonisë së Veriut shkon përtej zhvillimit të turizmit. Pozita strategjike e vendit, në kryqëzimin e Korridoreve 8 dhe 10, së bashku me investimet në infrastrukturën energjetike dhe transportuese, krijon mundësi për një rol më të madh të vendit si pikë hyrëse për kompanitë izraelite që synojnë zgjerimin e aktiviteteve të tyre në tregjet evropiane.

“Ne duam të jemi portë drejt Evropës jo vetëm për turistët izraelitë, por edhe për kompanitë izraelite. Mund të jemi gjithashtu pikë hyrëse për investitorët izraelitë në tregun evropian, potenciali i të cilit ende nuk është shfrytëzuar plotësisht nga komuniteti i biznesit izraelit, por edhe treg për eksport”, theksoi Mucunski.

Në këtë drejtim, ai vuri në dukje interesin e ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për investime.

Gjatë intervistës u theksuan edhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në një sërë fushash, përfshirë bujqësinë, menaxhimin e ujërave, sigurinë, inovacionet, turizmin, shëndetësinë, arsimin, investimet dhe industrinë e mbrojtjes.

Mucunski theksoi se marrëdhëniet e mira dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Izraelit duhet të avancohen më tej dhe të përkthehen në projekte dhe forma konkrete bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët.

“Që nga formimi i Qeverisë, marrëdhëniet dypalëshe me Izraelin i kemi vendosur si një nga prioritetet e politikës sonë të jashtme”, deklaroi ministri.

Sipas tij, dinamika e shtuar e kontakteve politike gjatë periudhës së fundit dëshmon për përcaktimin e qartë të Qeverisë për thellimin e partneritetit me Izraelin.

Në këtë kuadër u përmendën edhe kontaktet e intensifikuara ndërmjet dy vendeve, përfshirë vizitën në janar të një delegacioni parlamentar të kryesuar nga deputetja Rashela Mizrahi, i cili zhvilloi takime me kryetarin e Knesetit, Amir Ohana, si dhe me përfaqësues të tjerë izraelitë.

Mucunski vlerësoi se vizita në Izrael dhe bisedimet e zhvilluara atje paraqesin një mundësi për të përforcuar më tej dinamikën pozitive në marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht përmes forcimit të lidhjeve ekonomike, rritjes së shkëmbimit turistik dhe hapjes së mundësive të reja për investime dhe bashkëpunim afarist.

MARKETING