(VIDEO) Vetëm 9 shqiptarë në shkollën e policisë, opozita shqiptare kërkon anulim dhe transparencë për procesin e konkursit

(VIDEO) Vetëm 9 shqiptarë në shkollën e policisë, opozita shqiptare kërkon anulim dhe transparencë për procesin e konkursit

 

MARKETING

Description of image

Partitë opozitare shqiptare kanë reaguar për konkursin e policisë, pasi sipas tyre nga 310 nxënës të pranuar në Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji”, vetëm 9 janë shqiptarë, më pak se 3 për qind. Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon anulimin e mënjëhershëm të këtij konkursi dhe i njejti të përsëritet me kritere që garantojnë përfaqësim real dhe adekuat të të gjjitha komuniteteve në vend. Gjithashtu kërkojnë dorëheqjen e zëvendësministrit të policisë.

Arta Bilalli Zendeli, deputete e BDI-së

Ky konkurs nuk është vetëm një rast i izoluar, por është dëshmi e një politike që i përjashton shqiptarët nga institucionet e shtetit, veçanërisht nga organet e rendit dhe sigurisë. Kur një komunitet që përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë përfaqësohet me përqindje simbolike në polici, atëherë nuk kemi të bëjmë me dështim të zakonshëm të një konkursi, por me mungesë të mekanizmave dhe të vullnetit për të garantuar përfaqësimin e tyre të drejtë”.

Shqetësim për këtë situatë shpreh edhe Aleanca për Shqiptarët. Ata kërkojnë transparencë të plotë për konkursin, numrin e kandidatëve shqiptarë që kanë aplikuar, mënyrën e vlerësimit dhe arsyet që siç thonë kanë sjellë deri te një rezultat kaq skandaloz.

Aleanca për Shqiptarët

Bëhet fjalë për një shkollë që përgatit kuadrot e ardhshme të policisë dhe ku të diplomuarve u garantohet punësim në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kjo do të thotë se përbërja e sotme e kësaj shkolle do të reflektohet drejtpërdrejt në përbërjen e policisë në vitet e ardhshme. Për më tepër, mësimi zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase”.

Ndaj akuzave ka reaguar zëvendësministri i Brendshëm, Astrit Iseni. Ai thotë se flet me fakte dhe jo me propagandë dhe se shkaku i kësaj përqindje sipas tij është interesimi jo i mjaftueshëm i shqiptarëve.

Astrit Iseni, zëvendës ministër i Punëve të Brendshëm

Interesimi i shqiptarëve për këtë konkurs nuk ka qenë afër pritshmërive tona. Edhe nga ata që kanë aplikuar, një numër nuk janë paraqitur në fazën e testimit, duke u tërhequr faktikisht nga gara. Prandaj, është e pandershme politikisht të thuhet se shqiptarët janë ‘përjashtuar’, pa treguar sa kanë aplikuar, sa kanë vazhduar procesin dhe sa kanë plotësuar kriteret e përcaktuara”.

Ndërsa përfaqësuesve të BDI-së, zëvendësministri Iseni u kërkon që të mos e përdorin interesin e shqiptarëve për politikë ditore.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING