MPJ konfirmon aksidentin në Slloveni: Kanë ndërruar jetë dy të mitur dhe një i rritur
Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut, një i rritur dhe dy të mitur, kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku në autostradën A1 në Slloveni. Aksidenti ka ndodhur më 27 gusht, pranë Unecit, ndërsa dy persona të tjerë që ndodheshin në të njëjtin automjet kanë mbetur të lënduar.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit të ministrisë, Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Lubjanë është informuar zyrtarisht nga autoritetet policore sllovene për aksidentin e rëndë.
“Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Lubjanë ka marrë njoftim zyrtar nga policia sllovene për një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur më 27 gusht 2026 në autostradën A1, pranë Unecit. Në aksident kanë humbur jetën tre persona – një i rritur dhe dy të mitur, shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Dy persona të tjerë që ndodheshin në automjet janë lënduar dhe gjithashtu janë shtetas të Maqedonisë”, thuhet në njoftim.
Rasti po trajtohet nga autoritetet kompetente policore në Koper, ndërsa Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Lubjanë është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet sllovene dhe po ndjek procedurën e mëtejshme.
Sipas të dhënave të Auto-Moto Lidhjes së Sllovenisë, aksidenti ka ndodhur gjatë pasdites, kur një kamion, për shkak të një defekti, ishte ndalur në hapësirën e dedikuar për ndalim në autostradë.
Për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, automjeti me shtetasit e Maqedonisë së Veriut ka goditur pjesën e pasme të rimorkios së kamionit, në anën e majtë.
Në momentin e aksidentit, në automjet ndodheshin pesë persona, të gjithë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Ekipet mjekësore kanë konstatuar vdekjen e tre personave në vendin e ngjarjes.
Një nga personat e lënduar rëndë është transportuar me helikopter në spital, ndërsa personi tjetër i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor me ambulancë. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit janë duke u zhvilluar nga autoritetet kompetente sllovene.

