Kurti dhe Abdixhiku diskutojnë emra konkret për presidentin konsensual
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, në takimin me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kanë diskutuar emra konkret për presidentin konsensual të Kosovës, raporton Anadolu.
Pas një takimi që zgjati më shumë se dy orë, Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, tha se diskutimet do të vazhdojnë dhe se për herë të parë është diskutuar për emra të përveçëm për një president konsensual.
“Diskutimi ishte i hapur, i sinqertë, serioz. Do të vazhdojnë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi diskutuar me dhe për emra të përveçëm. Pra, atyre kritereve dhe parimeve udhëzuese për të cilat jemi dakorduar herën e kaluar, lidhur me vlerat, meritat dhe kontributin kombëtar, shtetëror, profesional, qytetar, të personaliteteve e figurave të ndryshme të shoqërisë dhe vendit tonë, ua kemi bashkëngjitur edhe emrat konkret të cilët i kemi diskutuar dhe ky është një hap i rëndësishëm përpara. Tash negocimi është shumë i vështir, sepse duhet të diskutohet hollësisht dhe gjerësisht”, theksoi Kurti.
Kurti tha se emrat që janë përmendur nuk janë pyetur paraprakisht se a do të pranonin apo dëshironin të jenë president apo presidente.
Ai po ashtu tha se në këtë fazë nuk mund të flitet publikisht për emrat e përveçëm.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga ana e tij, tha se emrat e prezantuar për president në takimin me kryetarin e LVV-së janë në vijë me “parimet e dakorduara”.
“Në tërësinë e emrave të prezantuar mund të them me bindje të plotë se të gjithë emrat në masë të madhe, dikush më shumë e dikush më pak, është në vijë me parimet e dakorduara deri më tani dhe në këtë drejtim le të themi se ky është një hap përpara”, theksoi Abdixhiku pas takimit.
Ai shtoi se takimet do të vazhdojnë për përzgjedhjen e presidentit të ardhshëm, por sikurse Kurti edhe Abdixhiku deklaruan se në fazën aktuale nuk mund të flitet publikisht për emrat e mundshëm për presidentë.
LDK i ka premtuar LVV-së mbështetje në formimin e institucioneve shtetërore pa ndonjë favor partiak për të, por vetëm që presidenti i ardhshëm të jetë konsensual.
LVV ka thënë se vetëm kur të ketë një marrëveshje të përgjithshme edhe për presidentin do ta thërrasin seancën plenare për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe më pas zgjedhjen e një presidenti të ri të vendit.

