Kryerabini izraelit mohon ekzistencën e popullit palestinez
Kryerabini sefardik i Izraelit, David Yosef, ka mohuar ekzistencën e popullit palestinez, duke pretenduar më tej se palestinezët “nuk kanë të drejta”, transmeton Anadolu.
Sipas raportimeve të mediave izraelite dhe pamjeve video që qarkullojnë në internet, Yosef i bëri këto deklarata gjatë një vizite në Muzeun Gush Katif në Kudsin Perëndimor.
Duke iu drejtuar mbështetësve, ai tha se Rripi i Gazës, së bashku me qytetet Nablus dhe Jenin në Bregun Perëndimor, janë të gjitha pjesë e “Tokës së Izraelit”, ndërsa bëri thirrje për shkatërrimin e plotë të enklavës palestineze.
Komuniteti ndërkombëtar i konsideron Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, si territore palestineze të pushtuara dhe pohon të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje.
Yosef njihet për deklarata nxitëse ndaj palestinezëve, arabëve dhe muslimanëve.
Sipas mediave izraelite, shtatorin e kaluar, ai pretendoi se palestinezët “vetëm plaçkitin dhe vrasin”, duke theksuar se ata “nuk janë popull, por një turmë”.
Kryerabini nuk është i vetmi zyrtar izraelit që ka mohuar publikisht ekzistencën e palestinezëve si popull.
Në mars të vitit 2023, Bezalel Smotrich, ministri i Financave i ekstremit të djathtë në Izrael, tha gjatë një fjalimi në Francë se “nuk ekziston një gjë e tillë si populli palestinez”, duke mohuar më tej ekzistencën e historisë dhe kulturës palestineze.
Deklaratat e Yosefit vijnë në një kohë kur ka zemërim ndërkombëtar për luftën e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila që nga tetori i vitit 2023 ka vrarë mbi 73.000 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 174.000 të tjerë.

