BDI: Dokumentet zyrtare dëshmojnë se projekti Shkup-Bllacë ishte përgatitur, financuar dhe proceduar që në kohën e qeverisjes së BDI-së
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) pretendon se dokumentet zyrtare dëshmojnë se projekti për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë nuk është iniciuar nga Qeveria aktuale, por se hapat konkretë për realizimin e tij janë ndërmarrë gjatë periudhës kur kjo parti ishte pjesë e pushtetit.
Në një kumtesë për media, BDI-ja thotë se gjatë asaj periudhe janë avancuar projektimi, sigurimi i financimit dhe procedurat e nevojshme për realizimin e autostradës, e cila pritet të lidhë Shkupin me kufirin me Kosovën.
Sipas partisë, më 27 qershor 2022, Kuvendi miratoi Ligjin për garancinë shtetërore të detyrimeve për huanë që do të përdorej për financimin e projektit TEN-T për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë. BDI-ja thekson se dokumenti zyrtar mban nënshkrimet e presidentit të atëhershëm të shtetit, Stevo Pendarovski, dhe kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.
“Pra, në kohën kur BDI ishte pjesë e Qeverisë, për projektin Shkup-Bllacë ishin krijuar dhe avancuar elementet themelore për realizimin e tij: projektimi, sigurimi i bazës financiare dhe zhvillimi i procedurave të tenderimit”, thuhet në kumtesë.
BDI vlerëson se këto dokumente, sipas saj, rrëzojnë pretendimet se autostrada Shkup-Bllacë është një projekt i nisur nga fillimi nga Qeveria aktuale. Partia kërkon që pushteti të bëjë publike të gjitha dokumentet që lidhen me projektimin, financimin, tenderimin dhe realizimin e projektit.
“Pyetja është e thjeshtë: çfarë ka bërë pushteti aktual përtej asaj që ishte përgatitur dhe siguruar më herët?”, pyet BDI-ja, duke kërkuar transparencë më të madhe për të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar projekti.
Partia thekson se nuk e kundërshton ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, por kërkon që projekti të realizohet sa më shpejt, duke e konsideruar atë me rëndësi strategjike për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Kosovën.
“Autostrada nuk fillon me propagandë. Ajo fillon me projekt, financim dhe procedura konkrete. Dhe këto hapa për Shkup-Bllacë ishin ndërmarrë që në kohën kur BDI ishte në qeveri”, thuhet në reagimin e partisë.
BDI-ja e përmbyll reagimin me mesazhin: “Dokumentet flasin. Propaganda nuk mund t’i fshijë”.

