Zjarrfikësit e Shkupit shpëtuan një viç nga zjarri i madh në malin e Kitkës
Gjatë përballjes me zjarrin e madh që ka përfshirë zonën mbi fshatin Paligrad, në malin e Kitkës, zjarrfikësit e Brigadës së Mbrojtjes nga Zjarri të Qytetit të Shkupit kanë shpëtuar një viç të vogël, i cili kishte mbetur i rrethuar nga flakët.
Lajmin e bëri të ditur drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Muhamed Ali, i cili theksoi se zjarret përbëjnë rrezik jo vetëm për natyrën, pronën dhe jetën e njerëzve, por edhe për kafshët.
Ali bëri apel për përgjegjësi dhe kujdes maksimal për parandalimin e zjarreve, duke theksuar se pasojat e tyre prekin të gjitha qeniet e gjalla, pavarësisht nëse shkaktohen qëllimisht apo nga pakujdesia.
“Ta mbrojmë natyrën, njerëzit, pronën dhe kafshët”, apeloi drejtori i QMK-së.
Ndërkohë, sipas të dhënave të QMK-së, gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 33 vatra zjarri, prej të cilave katër vazhdojnë të jenë aktive.

