(VIDEO) BDI kërkon plan kombëtar për përballje me epideminë
“Deri tani, qytetarët nuk kanë parë një përgjigje të qartë, të strukturuar dhe të parapërcaktuar nga Qeveria”, kështu thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim lidhur me situatën e virusit të Nilit Perëndimor në vend. Ata kërkojnë nga institucionet kompetente përgjigje të koordinuar, transparencë dhe masa të bazuara në dëshmi shkencore, duke ngritur një sërë pyetjesh lidhur me reagimin e institucioneve.
Ata thonë se sistemi shëndetësor duhej ta mbikëqyrte rrezikun herët dhe të vepronte para se pacientët të përfundonin në spital me forma të rënda të sëmundjes. Ndërsa theksojnë se qytetarët po shohin reagim pasi situata tashmë është përshkallëzuar.
Imrane Veliu, Sekretariati Shëndetësisë – BDI
“Virusi i Nilit Perëndimor është i njohur. Cikli i transmetimit, sezonaliteti, grupet e rrezikuara dhe masat parandaluese njihen prej vitesh. Sistemi shëndetësor duhej ta mbikëqyrte rrezikun herët dhe të vepronte para se pacientët të përfundonin në spital me forma të rënda të sëmundjes. Mbikëqyrja duhet ta paraprijë epideminë. Në vendin tonë, qytetarët po shohin reagim pasi situata tashmë është përshkallëzuar”.
Ndërsa Mbretëria e Bashkuar që më 21 maj publikoi një plan të qartë për përballjen me Virusin e Nilit Perëndimor, duke përcaktuar rreziqet, masat dhe përgjegjësitë e institucioneve, nga BDI thonë se një qartësi e tillë ka munguar në Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, duhej të dihej qartë kush vepron, kur vepron dhe çfarë masash ndërmerren në çdo nivel të rrezikut.
Imrane Veliu, Sekretariati Shëndetësisë – BDI
“BDI-kërkon, hartimin dhe aktivizimin e menjëhershëm të Planit Kombëtar të Gatishmërisë dhe Përgjigjes ndaj Virusit të Nilit Perëndimor, me nivele të qarta rreziku dhe masa konkrete për secilin nivel. Përcaktimin e qartë të përgjegjësive të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit dhe Qendrave të Shëndetit Publik. Aktivizimin e mbikëqyrjes sistematike të vektorëve dhe kontrollit të mushkonjave. Miratimin e protokolleve të qarta klinike, laboratorike dhe transfuzive”.
Ata theksuan se edhe komunat kanë përgjegjësi. Sipas tyre, ato duhet të identifikojnë zonat me rrezik, të kujdesen për higjienën publike dhe eliminimin e burimeve të ujërave të ndenjura, të bashkëpunojnë në kontrollin e mushkonjave dhe t’i informojnë qytetarët.
Anida Murati /SHENJA/

