EMV-KEK me marrëveshje trevjeçare, Maqedonia siguron qymyr nga Kosova
Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV) kanë nënshkruar një marrëveshje strategjike trevjeçare me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), përmes së cilës synohet sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm me qymyr për nevojat e termocentraleve në Maqedoninë e Veriut.
Marrëveshja është arritur pas negociatave intensive dhe vendimit të Qeverisë, ndërsa i mundëson EMV-së shfrytëzimin e qymyrit nga miniera e Obiliqit. Në kuadër të marrëveshjes parashihet eksploatimi i rreth 3 milionë tonëve qymyr gjatë 36 muajve, me çmim të fiksuar prej 24.4 euro për ton.
Sipas EMV-së, përdorimi i qymyrit nga Kosova pritet të rrisë efikasitetin e termocentraleve dhe të mundësojë prodhimin e rreth 800 gigavat-orëve energji elektrike shtesë në vit, që do të gjeneronte të ardhura prej rreth 57 milionë eurosh. Gjithashtu, pritet të ulet përdorimi i mazutit dhe emetimet e dioksidit të karbonit (CO₂).
“Gjatë konsolidimit aktual të minierave, nevojat e vlerësuara vjetore për blerjen e qymyrit, si plotësim i prodhimit vendor, janë rreth 1.4 milionë tonë. Megjithatë, për shkak të kapacitetit të pikës kufitare Bllacë, nga KEK-u realisht mund të priten rreth 800 mijë tonë në vit”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i AD ESM-së, Lazo Uzunçev.
Ai theksoi se qymyri nga pellgu i Obiliqit ka vlerë kalorike mesatare prej rreth 1,950 kcal/kg, si dhe përmbajtje të ulët të squfurit dhe hirit. Sipas Uzunçevit, këto parametra janë të përshtatshëm për kapacitetet e termocentraleve në Manastir dhe Osllomej.
“Partneriteti me kompaninë shtetërore energjetike të Kosovës mundëson një hap të shpejtë dhe të sigurt drejt qëllimit tonë për ta bërë Maqedoninë një eksportues neto të vazhdueshëm të energjisë elektrike”, deklaroi Uzunçev.
Nga SHA EMV bëjnë të ditur se deri në fund të gushtit do të shpallet tenderi për përzgjedhjen e operatorit ekonomik që do të angazhohet për nxjerrjen, analizën, ngarkimin dhe transportin e qymyrit nga Obiliqi deri në deponitë e termocentraleve në Manastir dhe Osllomej.
Sipas kompanisë, marrëveshja do të hyjë zyrtarisht në fuqi pas përfundimit të procedurës për përzgjedhjen e operatorit ekonomik.

