Topçinjtë dominojnë Manchester Cityn në Community Shield, Arsenali ngre trofeun e parë sezonal
Arsenal e nis sezonin e ri, aty ku përfundoi atë të kaluar, duke ngritur një trofe. Topçinjtë e Londrës iu imponuan me forcë Manchester Cityt të Enzo Maresca në finalen e Superkupës së Anglisë apo siç njihet ndryshe Community Shield me rezultatin e pastër 3-0 duke fituar trofeun e parë sezonal.
Ishte një ndeshje ku skuadra e Mikel Artetës u shfaq superiore ndaj kundërshtarëve të saj. Vetëm 25 sekonda lojë iu deshën Arsenalit për të zhbllokuar rezultatin kur Calafiori mposhti Donnarummën për të çuar rezultatin 1-0 në favor të kampionëve të Anglisë. Ishte një gol që e shokoi skuadrën e Enzo Marescas e cila në minutën e 28 mori edhe goditjen e dytë të pasi Arsenali e ndëshkoi sërish këtë radhë me Kai Havertz dhe me rezultatin 2-0 për Topçinjtë skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes.
Pjesa e dytë nisi ashtu si dhe e para me Arsenalin që gjeti rrugën e rrjetës vetëm pak sekonda nga fillimi i saj teksa me Odegaard e çoi rezultatin 3-0 duke i dhënë goditjen e knockout-it skuadrës së Citizens që u duk krejtësisht e pafuqishme për të reaguar e për të bërë diçka në këtë përballje. Ndeshja u mbyll me rezultatin 3-0 për Arsenalin që ngriti trofeun, një sukses që i jep krahë skuadrës londineze në prag të fillimit të kampionatit ku ajo do ta nisë mbrojtjen e titullit me sfidën ndaj Coventry. Ndërsa Manchester City duhet të lërë menjëherë pas krahëve këtë disfatë dhe të përqendrohet te sfida ndaj Bournemouth.

