Fundi i epokës CR7, Ronaldo: Me shumë gjasë, ky është viti im i fundit në futboll
Cristiano Ronaldo ka bërë një deklaratë të bujshme për të ardhmen e tij, duke lënë të kuptohet se fundi i karrierës së tij si futbollist mund të jetë më afër nga sa pritej.
Ylli portugez, i cili aktualisht është kapiten i Al-Nassr në Arabinë Saudite, ka konfirmuar gjithashtu se tashmë ka filluar të mendojë dhe të planifikojë jetën pas pensionimit nga futbolli.
Në një intervistë për revistën amerikane “Vogue”, Ronaldo ka thënë se përfundimi i karrierës si futbollist nuk do të nënkuptojë fundin e lidhjes së tij me sportin dhe aktivitetet që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës, transmeton Klankosova.tv.
“E kam planifikuar të gjithë të ardhmen time”, ka deklaruar Ronaldo, i cili tashmë është 40-vjeçar.
Portugezi ka bërë të ditur se ka shumë plane për periudhën pas futbollit dhe se nuk mund ta përcaktojë vetëm një aktivitet që do të jetë në qendër të jetës së tij.
“Kam aq shumë gjëra që do të më mbajnë të zënë, saqë është e vështirë të përcaktoj vetëm një”, ka shtuar ai.

