(VIDEO) Rritet shumë çmimi i peletit, institucionet “nuk e vërejnë”
Peleti, një nga alternativat më të përdorura për ngrohje, këtë sezonë po kushton më shtrenjtë. Rritja e çmimit vjen në një kohë kur institucionet vazhdimisht u bëjnë thirrje qytetarëve të braktisin mënyrat ndotëse të ngrohjes dhe të zgjedhin alternativa më ekologjike. Rritja e çmimit të tyre këtë vit kushton rreth 140 denarë më shtrenjtë, varësisht vendit ku i blen dhe cilësisë së tyre. Paketimi prej 15 kilogramësh shitet deri në 340 denarë (foto4), ndërsa të njëjtin vitin e kaluar mund ta blije për 199 denarë (foto5).
Përkundër qytetarëve të cilët ankohen se çmimi është rritur në mënyrë drastike dhe është bërë gati i papërballueshëm, institucionet nuk e kanë vërejtur këtë shpërthim çmimesh.
Inspektorati Shtetëror i Tregut për TV Shenja-n thotë se gjatë këtij viti ka bërë inspektime të tregtarëve të peletit në kuadër të inspektimeve të rregullta dhe të jashtëzakonshme, por nuk kanë hasur në parregullsi sepse siç thonë tregtarët janë të lirë të formojnë çmimet e tregut.
Inspektorati Shtetëror i Tregut
“Inspektorati Shtetëror i Tregut nuk mban të dhëna të veçanta në lidhje me inspektimet e kryera tek tregtarët e peletave. Çmimet e peletave për ngrohje formohen lirshëm në treg dhe ndryshojnë në varësi të cilësisë, marzhit dhe prodhuesit ose tregtarit. Deri te Inspektorati deri në këtë moment nuk janë dorëzuar ankesa nga qytetarët në lidhje me rritjen e çmimeve të peletit”.
Vetëm rritja e çmimeve, pra lëvizja e njëkohshme ose e ngjashme e çmimeve midis disa pjesëmarrësve në treg, nuk përbën në vetvete provë të ekzistencës së koordinimit kontraktual të çmimeve ose shkeljeve të tjera të rregullave të konkurrencës. Kështu na është përgjigjur Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës. Për të përcaktuar sjellje të mundshme të bashkërenduar ose keqpërdorim për një pozicion dominues thonë ata, është e nevojshme të ketë njohuri që do të tregonin një sjellje të tillë.
Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës
“Lidhur me pyetjen tuaj për ndonjë procedure të mundshme për shqyrtimin e tregut të peletit, Komisioni mund të ndërmarrë aktivitete të përshtatshme brenda kompetencave të tij ligjore nëse ka njohuri që tregojnë shkelje të mundshme të konkurrencës”.
Nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor pranojnë se peletët prodhojnë shumë më pak grimca të imta PM2.5 dhe PM10, të cilat janë të dëmshme për cilësinë e ajrit dhe shëndetin dhe këtë e shpjeguan edhe përmes një tabele. Ndërsa shtojnë se bashkëpunojnë me komunat për uljen e ndotjes së ajrit, duke zbatuar projekte që promovojnë mënyra më ekologjike të ngrohjes.
Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor
“Gjatë vitit të kaluar, ndër masat më të zakonshme në nivel lokal kanë qenë subvencionet për familjet për blerjen e pajisjeve të klimës inverter, kolektorëve diellorë, lidhjen me rrjetin e gazit, zbatimin e masave për efikasitetin energjetik, rikonstruksionin e objekteve publike, si dhe instalimin e sistemeve fotovoltaike”.
Ndërkaq, Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale TV Shenjas i thotë se bazuar në Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të kategorive sociale për vitin 2026, Ministria po zbaton masa për të mbështetur drejtpërdrejt familjet, duke dhënë disa alternativa që qytetarët të përdorin metoda më ekologjike për ngrohje.
Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale
“Qëllimi i këtyre politikave është të sigurojnë energji të disponueshme dhe të sigurt për qytetarët, të ulin kostot e energjisë dhe ngrohjes së familjeve dhe të inkurajojnë kalimin në metoda më efikase dhe më të pastra të ngrohjes”.
Institucionet vazhdimisht bëjnë thirrje për përdorimin e metodave më ekologjike për ngrohje, si një preventivë për mos ta rritur nivelin e ajrit të ndotur.
Emine Ismaili /SHENJA/

