Irani: Nuk është marrë asnjë vendim për rifillimin e bisedimeve me SHBA-në
Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se vendi i tij ende nuk ka marrë vendim nëse do të rifillojë negociatat indirekte me SHBA-në, si dhe ka theksuar se shkëmbimet përmes ndërmjetësuesve nuk duhet të interpretohen si rikthim në bisedime, transmeton Anadolu.
Araghchi hodhi poshtë raportet sipas të cilave kërkon zgjatje armëpushimi 60-ditor, i parashikuar në memorandumin e Islamabadit, një marrëveshje kornizë e paqes e qershorit me SHBA-në, e ndërmjetësuar nga Pakistani.
“Ajo që përfshihej në memorandumin e Islamabadit ishte përfundimi i luftës, jo një armëpushim. SHBA-ja e shkeli memorandumin dhe luftimet rifilluan. Prandaj, nuk kishte një armëpushim 60-ditor që duhej të zgjatej”, tha Araghchi për agjencinë iraniane të lajmeve ISNA
Sipas kryediplomatit Iranian, 60 ditët e përmendura në memorandum ishin parashikuar si një periudhë për negociata me synimin për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare dhe jo si kohëzgjatje e një armëpushimi.
“Si Katari, ashtu edhe Pakistani vazhdojnë të shkëmbejnë mesazhe dhe të jenë në kontakt me ne, por kjo nuk do të thotë negociata”, tha ai, duke shtuar: “Ende nuk është marrë asnjë vendim për rifillimin e bisedimeve me SHBA-në”.
Araghchi tha se negociatat e Iranit me Omanin po vazhdojnë, por janë tërësisht të ndara nga çdo diskutim me Washingtonin.
Ai i përshkroi bisedimet si negociata teknike të përqendruara në krijimin e rrugëve të reja të transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit, pasi rrugët e mëparshme nuk janë më të përshtatshme.
“Ne aktualisht po hartojmë një rrugë të përkohshme, e cila më vonë do të bëhet rrugë e përhershme”, tha ai, duke shtuar se në bisedime janë përfshirë ekspertë nga të dyja vendet, si dhe forcat e armatosura iraniane dhe se negociatat mund të përfundojnë së shpejti.
Araghchi theksoi se negociatat teknike për rrugët e transportit detar nuk duhet të ngatërrohen me çështjen e rihapjes së ngushticës.
“Pasi të përcaktohet rruga, nëse Ngushtica e Hormuzit do të rihapet varet nga përmbushja e kushteve të tjera që SHBA-ja duhet t’i respektojë”, tha ai.

