Presidenti Erdogan: Parlamenti turk ka ndërmarrë “hap të rëndësishëm” si pjesë e procesit “Turqia pa terror”
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të enjten se parlamenti turk ka ndërmarrë një “hap të rëndësishëm” këtë javë në kuadër të procesit “Turqia pa terror”, duke iu referuar miratimit të Projektligjit për Forcimin e Solidaritetit Kombëtar dhe Integrimit Social, transmeton Anadolu.
Deklarata e Erdoganit erdhi pas një takimi në kompleksin presidencial me familjarët e ushtarëve turq të vrarë në sulmet e kaluara terroriste të PKK-së dhe veteranët.
“Këtë javë, parlamenti ynë ndërmori një hap të rëndësishëm në procesin ‘Turqia pa terror’, të cilin po e zhvillojmë me synimin për ta çliruar vendin tonë nga murtaja e terrorizmit”, tha Erdogan në platformën sociale turke NSosyal.
Projektligji për Forcimin e Solidaritetit Kombëtar dhe Integrimit Social, i miratuar të hënën, përcakton procedurat për pezullimin e hetimeve, ndjekjeve penale, dënimeve dhe procedurave të lidhura me to, pasi autoritetet të përcaktojnë se organizatat terroriste PKK/KCK dhe grupet e lidhura me to kanë ndërprerë aktivitetet dhe kanë dorëzuar armët.
“Atdheu në të cilin jetojmë të lirë, në paqe dhe siguri është një trashëgimi që na është besuar nga dëshmorët dhe veteranët tanë. Familjet e dëshmorëve tanë të dashur, të cilët sakrifikuan jetën dhe derdhën gjakun e tyre për të mbrojtur unitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi, janë gjithashtu nën kujdesin tonë”, tha Erdogan.
“Me këtë kuptim, deri më tani kemi mobilizuar të gjitha burimet e shtetit tonë për të mbështetur familjet e dëshmorëve dhe veteranët tanë”, shtoi ai.
“Duke vepruar me durim, gjykim të shëndoshë dhe qetësi, ne do ta çlirojmë përgjithmonë Turqinë nga” terrorizmi, tha Erdogan.

