Çmimet e naftës bien pavarësisht tensioneve në Hormuz
Çmimet e naftës kanë shënuar rënie të enjten, pavarësisht mungesës së përparimit drejt përfundimit të luftës dhe trafikut ende shumë të kufizuar përmes Ngushticës së Hormuzit.
Sipas CNN, nafta Brent, standardi global, ra rreth 2 për qind dhe po tregtohet në nivelin prej 87,20 dollarësh për fuçi, ndërsa WTI amerikane zbriti në rreth 81,45 dollarë për fuçi.
Rënia vjen edhe pse Irani dhe Shtetet e Bashkuara duket se kanë ashpërsuar qëndrimet e tyre, ndërsa të dyja palët pretendojnë kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit.
Trafiku në këtë rrugë strategjike detare vazhdon të jetë shumë më i ulët se nivelet para luftës, kur regjistroheshin rreth 130 deri në 140 kalime në ditë.
Megjithatë, analistët vlerësojnë se flukset reale mund të jenë më të larta nga sa tregojnë të dhënat zyrtare, për shkak të transferimeve nga anija në anije dhe rasteve kur anijet i çaktivizojnë sistemet e identifikimit gjatë kalimit.
Në uljen e presionit mbi tregun po ndikojnë edhe faktorë të tjerë. Kina ka reduktuar importet e naftës, disa vende po përdorin rezervat e tyre, Shtetet e Bashkuara kanë rritur prodhimin, ndërsa prodhuesit e Gjirit kanë gjetur rrugë alternative eksporti përmes tubacioneve.
Megjithatë, rreziku për rritje të re të çmimeve mbetet i lartë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka paralajmëruar se gjatë këtij tremujori bota mund të përballet me mungesë prej rreth 1.8 milion fuçish naftë në ditë, ndërsa rezervat globale po bien me shpejtësi.

