Kumanovari Taulant Seferi nis aventurën në Turqi me dy gola
Debutim fantastik për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Taulant Seferi, me fanellën e Kayserisporit. “Bomberi” kuqezi realizoi dy gola në ndeshjen e parë të sezonit, duke i dhuruar skuadrës së tij fitoren dhe tri pikët. I transferuar vetëm pak ditë më parë te klubi turk, Seferit i mjaftuan vetëm nëntë minuta për të gjetur rrugën e rrjetës. Kumanovari mori një pasim në zonë dhe, me një goditje të saktë, e dërgoi topin në rrjetë. Seferi e nisi edhe pjesën e dytë në mënyrë perfekte. Në minutën e 56-të, ai kontrolloi bukur topin brenda zonës dhe me një goditje të fuqishme shënoi golin e dytë personal dhe të dytin për Kayserisporin. Falë dopietës së Seferit, Kayserispori e nisi sezonin me fitore dhe tri pikë në Ligën e Parë të Turqisë. Paraqitja e sulmuesit shqiptar ishte mbresëlënëse, pasi ai u shpall lojtari i ndeshjes me notën 9.3.

