Napoli refuzon ofertën e parë të Fenerbahçes për Lukakun
Napoli ka refuzuar ofertën e parë të Fenerbahçes për Romelu Lukakun, ndërsa e ardhmja e sulmuesit belg në Itali mbetet e pasigurt.
Sipas raportimeve nga Italia, Fenerbahçe dhe Napoli janë ende në negociata për transferimin e Lukakut dhe palët besojnë se mund të arrijnë një marrëveshje gjatë ditëve në vijim.
Fenerbahçe kishte paraqitur ofertën e parë të dielën, e cila besohet të ketë qenë rreth 5 milionë euro, por Napoli e ka refuzuar atë, duke e konsideruar të ulët.
Sipas “Corriere dello Sport”, klubi italian kërkon rreth 10 milionë euro për kartonin e sulmuesit belg.
Lukaku është nën kontratë me Napolin deri në verën e vitit 2027, por klubi italian është i gatshëm të shqyrtojë oferta për të gjatë kësaj vere.
Edhe kërkesat e vetë futbollistit mund të komplikojnë marrëveshjen. Lukaku raportohet se kërkon një pagë prej rreth 10 milionë eurosh në sezon për të kaluar te klubi turk.
Pavarësisht refuzimit të ofertës së parë, Fenerbahçe pritet të rikthehet me një propozim të përmirësuar.
Palët vazhdojnë kontaktet dhe ekziston optimizëm për një marrëveshje, por fillimisht duhet të gjendet një kompromis mes kërkesave të Napolit dhe ofertës së klubit turk.

