“Duhej ta kishim menaxhuar ndryshe,” Infantino kërkon falje për projektin e debatueshëm
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka kërkuar falje për gabimet e bëra gjatë promovimit të projektit FIFA Forward Enterprise (FFE), por ka ruajtur postin e tij pasi mori mbështetjen e plotë të bordit drejtues të organizatës në një takim të zhvilluar në Rabat, Marok.
Pas mbledhjes, FIFA njoftoi se bordi dhe sekretari i përgjithshëm Mattias Grafstrom riafirmuan besimin e tyre te Infantino. Në një letër të përbashkët drejtuar 211 shoqatave anëtare, Infantino dhe Grafstrom kërkuan ndjesë për mënyrën se si u menaxhua procesi dhe u zotuan se gabime të ngjashme nuk do të përsëriten.
Projekti FFE kishte parashikuar tërheqjen e investimeve private në turnetë e FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe femra. Sipas raportimeve, Infantino kishte propozuar që çdo federatë anëtare të përfitonte 40 milionë dollarë nëse mbështeste nismën.
Megjithatë, plani shkaktoi reagime të forta, veçanërisht nga UEFA, e cila deklaroi se kishte humbur besimin te presidenti i FIFA-s dhe e cilësoi propozimin si një marrëveshje të fshehtë dhe jo transparente.
Kritika pati edhe nga brenda FIFA-s, ku sekretari i përgjithshëm Mattias Grafstrom e përshkroi situatën si një seri ngjarjesh të trishtueshme dhe të dënueshme.
Në deklaratën zyrtare, FIFA pranoi se gjatë procesit të prezantimit të FFE-së u bënë gabime dhe se shoqatat anëtare nuk u përfshinë siç duhej në konsultime.
Organizata theksoi se procesi duhej të ishte zhvilluar ndryshe, por paralajmëroi se nuk do të tolerojë sulme ndaj integritetit dhe qeverisjes së saj.
Ndërkohë, FIFA hodhi poshtë pretendimet se Infantino i kishte premtuar Marokut organizimin e finales së Kupës së Botës 2030 në këmbim të mbështetjes për projektin, duke i cilësuar ato si të rreme dhe mashtruese.
Sipas organizatës, vendimi për stadiumin që do të presë finalen e Botërorit 2030 do të merret në kohën e duhur.

