(VIDEO) Në muajin korrik u regjistruan mbi 20 mijë shkelje në trafik
Në muajin korrik rregullat e komunikacionit janë shkelur 20.976 herë. Sipas raportit njëmujor të të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përshkak të vozitjes së pakujdesshme në trafik janë arrestuar 496 persona. Për të njejtën periudhë janë paguar 4.241 urdhërpagesa përshkak të mosrespektimit të shpejtësisë së lejuar të lëvizjes. Por edhe janë konfiskuar 332 automjete sipas nenit 300-b të Kodit Penal.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Janë privuar nga liria 496 persona për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, prej të cilëve 81 për vozitje të automjetit nën ndikimin e alkoolit, 373 për vozitje pa patentë shoferi, 25 për shkak të shqiptimit të mëparshëm të ndalimit për drejtimin e automjetit, tre për vozitje me shpejtësi më të madhe nga e lejuara në vendbanim, 13 për vozitje me shpejtësi më të madhe nga e lejuara jashtë vendbanimit, ndërsa një person për vozitje në drejtim të ndaluar”.
Sipas pasqyrës statistikore të aktiviteteve policore, policia bënë me dije se gjatë muajit korrik janë evidentuar 4.694 kundërvajtje për parkim të parregullt, si dhe 430 sanksione për vozitje nën ndikimin e alkoolit.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Gjithashtu, janë sanksionuar 1.829 pjesëmarrës në komunikacion të cilët nuk kanë përdorur rripin e sigurisë. Në përputhje me Ligjin për Automjetet, 299 automjete janë përjashtuar nga qarkullimi për shkak se ishin të paregjistruara, ndërsa 125 për shkak të parregullsive teknike. Janë sanksionuar edhe 44 drejtues automjetesh për mosplotësimin e kushteve të përshkruara lidhur me errësimin e xhamave të automjeteve (folive)” .
Ndërkohë dënime janë shqiptuar edhe për motoçiklistët. Janë sanksionuar 2.073 drejtues motoçikletash për mosmbajtjen e helmetës mbrojtëse.
MPB bënë me dije se kontrollet në komunikacion do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Ndërsa u bëjnë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit.
Emine Ismaili /SHENJA/

