Valon Bela: Një vendim administrativ nuk mund ta zhbëjë sakrificën e një shqiptari

Valon Bela: Një vendim administrativ nuk mund ta zhbëjë sakrificën e një shqiptari

Analisti dhe ish-politikani Valon Bela ka reaguar pasi u shpall “non grata” nga Qeveria e Shqipërisë, duke e cilësuar vendimin administrativ si të papranueshëm dhe duke thënë se ai nuk mund të zhbëjë historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari.

MARKETING

Description of image

Në një reagim publik, Bela shprehet se shpallja e një luftëtari të tri luftërave kombëtare shqiptare si person i padëshiruar ngre pikëpyetje për mesazhin që u jepet kujtesës kombëtare.

“Një vendim administrativ nuk mund ta shpallë ‘non grata’ historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari. Nëse një luftëtar i tri luftërave kombëtare shqiptare shpallet i padëshiruar në shtetin shqiptar, atëherë pyetja nuk është vetëm se kush u shpall ‘non grata’, por çfarë mesazhi po i jepet kujtesës sonë kombëtare.

Shqiptarët nuk janë ndarë kurrë në ata ‘brenda’ dhe ‘jashtë’ kufirit shtetëror kur ka qenë fjala për idealet kombëtare. Ata që kanë sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve nuk mund të gjykohen vetëm me vendime administrative, sidomos kur mungon transparenca dhe një shpjegim i qartë publik.

Asnjë qeveri nuk është mbi kombin dhe asnjë mandat politik nuk është i përjetshëm. Qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa historia mbetet. Ata që sot marrin vendime përjashtuese duhet të jenë të vetëdijshëm se do të gjykohen jo vetëm nga bashkëkohësit, por edhe nga brezat që do të vlerësojnë nëse kanë mbrojtur interesin kombëtar apo interesat e ditës.

E sidomos kur një qeveri fyen rëndë Kosovën, pret me tepih të kuq Vuçiqin dhe maltreton e rrah brutalisht popullin e tij që mendon ndryshe.

Dinjiteti i një luftëtari nuk matet me të drejtën për të hyrë ose jo në një shtet, por me veprën që ka lënë pas dhe me respektin që gëzon në mesin e popullit, ndryshe nga qeveria aktuale që gëzon respekt vetëm nga foshnjëvrasësit. Dhe mu në sinkron të plotë, Rama & Vuçiq më fusin në listën e të padëshiruarve. Kjo flet shumë!”, ka shkruar Valon Bela.

MARKETING