VLEN: BDI e përdori Marrëveshjen e Ohrit për përfitime politike

VLEN: BDI e përdori Marrëveshjen e Ohrit për përfitime politike

VLEN akuzon Bashkimin Demokratik për Integrim se për më shumë se dy dekada e ka përdorur Marrëveshjen e Ohrit si instrument për përfitime politike, duke e vendosur atë në qendër të narrativës së saj, pa arritur ta zbatojë plotësisht.

MARKETING

Description of image

Në një kumtesë për media, VLEN vlerëson se gjatë periudhës së promovimit të nismës “Ballkani i Hapur”, prioritetet politike të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, u zhvendosën drejt mbështetjes së një projekti rajonal, në vend të përqendrimit në konsolidimin e të drejtave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.

Sipas VLEN-it, kjo ngre dilema nëse kapitali politik i fituar nga Marrëveshja e Ohrit u investua në një projekt që, siç thuhet në reagim, nuk ishte prioritet i shqiptarëve dhe nuk gëzonte konsensus mbarëshqiptar.

Koalicioni thekson se shqiptarët nuk përfituan avancim të mëtejshëm të të drejtave të garantuara me Marrëveshjen e Ohrit dhe pretendon se dëshmi për këtë është, sipas tyre, bllokimi nga ana e BDI-së i miratimit të Ligjit për Përfaqësim të Drejtë.

VLEN pretendon se BDI nuk e realizoi këtë obligim për më shumë se dy dekada dhe tani kundërshton miratimin e ligjit, pasi iniciativa është ndërmarrë nga ky koalicion.

Në fund të reagimit, VLEN thekson se mbrojtja e Marrëveshjes së Ohrit nuk nënkupton vetëm referimin ndaj saj në deklarata politike, por kërkon angazhim konkret për zbatimin e plotë të saj dhe vendosjen e interesit të shqiptarëve mbi projektet politike që, sipas tyre, dëmtojnë rajonin dhe interesat kombëtare.

MARKETING