Ferati: Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve u gjet pa strategji dhe me mungesë të kushteve bazë të punës
Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve, Agon Ferati, deklaroi se ka gjetur një institucion me mungesë strategjie, organizimi dhe kushte bazë pune. Sipas tij, qëllimi është ta reformojë Ministrinë dhe ta bëjë më funksionale, me fokus në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.
Në një takim me gazetarët, Ferati tha se rreth 30 për qind e 139 të punësuarve nuk kanë kushte elementare për punë, pasi mungojnë kompjuterët, tavolinat dhe hapësirat e përshtatshme.
“Trashëguam një institucion ku burimet njerëzore nuk janë shfrytëzuar si duhet dhe ku ndikimi politik ka qenë më i madh se ai institucional”, tha ai.
Ministri shtoi se menjëherë pas marrjes së detyrës ka nisur takime me drejtuesit e sektorëve dhe ekspertët për të përmirësuar funksionimin e Ministrisë.
Sipas Feratit, një nga problemet kryesore është mungesa e dokumenteve strategjike. Ai tha se që nga themelimi i Ministrisë janë hartuar vetëm dy strategji dyvjeçare, ndërsa dokumentet e tilla duhet të kenë një planifikim afatgjatë.
Për këtë arsye, ai paralajmëroi krijimin e dy sektorëve të rinj: një për partneritete strategjike dhe fonde evropiane, si dhe një sektor për analiza dhe kërkime. Për këto njësi pritet të angazhohen 8 deri në 12 profesionistë të rinj, ndërsa stafi aktual do të trajnohet për të marrë përgjegjësi konkrete.
Ferati foli edhe për mënyrën e ndarjes së granteve, duke thënë se në të kaluarën ato nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë. Sipas tij, nga 36 grante të ndara, 29 kanë përfunduar te organizata të komunitetit serb, kryesisht për aktivitete kulturore.
“Këto janë para publike dhe vitin e ardhshëm do të punojmë për një shpërndarje më të drejtë dhe më proporcionale”, deklaroi ministri, duke shtuar se do të inkurajohen edhe shoqatat maqedonase të aplikojnë në thirrjet publike.
Ai bëri thirrje edhe për bashkëpunim më të madh me mediat, duke theksuar se ato kanë rol të rëndësishëm në ruajtjen e marrëdhënieve të mira ndërmjet komuniteteve. Si shembull përmendi tensionet që krijohen gjatë ndeshjeve sportive, të cilat, sipas tij, shpesh përhapen edhe në rrjetet sociale dhe ndikojnë në klimën politike.
Në fund, Ferati tha se një shpërndarje më e balancuar e investimeve dhe mbështetjes publike mund të ndikojë pozitivisht në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve. Ai shtoi se aktualisht Ministria ka 139 të punësuar, ndërsa vetëm pesë persona janë larguar nga puna dhe rastet e tyre janë në procedurë gjyqësore.

