(VIDEO) Revizioni konstatoi parregullsi në punën e Fondit Shëndetësor
Enti shtetërore i Revizionit ka konstatuar se, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSH) ende ka mospërputhje në efikasitetin e monitorimit të trajtimit jashtë vendit, në metodën e financimit/blerjes së shërbimeve nga institucionet publike shëndetësore dhe përditësimin e çmimeve referuese për shërbimet shëndetësore, si dhe në përditësimin e Listës së barnave që bien nën barrën e Fondit. Në raportin e revizionit të bërë për punën e Fondit Shëndetësor thuhet se, pavarësisht aktiviteteve të ndërmarra për të zbatuar disa nga rekomandimet, ende ekzistojnë dobësi dhe nevojiten përmirësime sistemike, veçanërisht në funksionimin e sistemit të IT-së dhe kontrollet që Fondi zbaton mbi ofrimin dhe faturimin e shërbimeve shëndetësore.
Enti Shtetëror i Revizionit
“Pavarësisht aktiviteteve të ndërmarra për të zbatuar rekomandimet e dhëna në auditimet e mëparshme, ende ekzistojnë dobësi dhe nevojiten përmirësime sistemike. Pagesa e parakohshme e fondeve bazuar në kontributet nga institucionet kompetente ndikon në likuiditetin e Fondit, gjë që e vështirëson shërbimin në kohë të detyrimeve të institucioneve shëndetësore, brenda kornizës së kompensimit të rënë dakord”.
Sipas Revizionit, që nga shkurti i vitit 2026, kontributi i papaguar nga Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor arriti në rreth 137 milionë euro, ndërsa fondet e papaguara nga Ministria e Shëndetësisë për personat e pasiguruar, në fund të vitit 2024, arritën në rreth 35 milionë euro.
Enti Shtetëror i Revizionit
“Në funksionimin dhe zhvillimin e sistemit të informacionit të Fondit ende ka sfida që lidhen me mungesën e dokumenteve strategjike, kapacitetet e pamjaftueshme të personelit, funksionalitetin e pjesshëm të moduleve individuale dhe mundësitë e kufizuara për përmirësimin e tyre të mëtejshëm. Në të njëjtën kohë, vendosja e sistemit të recetave elektronike është vonuar, dhe kontrollet ekzistuese të sistemit në procesin e lëshimit dhe faturimit të recetave nuk ofrojnë një nivel të mjaftueshëm kontrolli”.
Revizionit gjithashtu konstatoi se në vitin 2024 u kryen 44 kontrolle në institucionet spitalore, me parregullsi të identifikuara në pothuajse gjysmën e tyre. Dobësi u evidentuan edhe në trajtimin jashtë vendit, për shkak të mosrespektimit të afateve ligjore dhe monitorimit të procedurave.
Anida Murati /SHENJA/

