(VIDEO) Ndotja e ujit në Gostivar, Filipçe kërkon transparencë, Mickoski kundërpërgjigjet me akuza

(VIDEO) Ndotja e ujit në Gostivar, Filipçe kërkon transparencë, Mickoski kundërpërgjigjet me akuza

Lideri i opozitës maqedonase, Venko Filipçe, gjatë seancës së sotme për pyetje deputetësh, ka kërkuar nga kryeministri Hristijan Mickoski të publikojë rezultatet e analizave të ujit në Gostivar dhe t’i japë fund informacioneve kontradiktore që siç tha ai, po shpërndajnë institucionet. Ai I drejtoi kritika të ashpra kryeministrit, duke vlerësuar se paaftësia, korrupsioni dhe gënjeshtrat po i dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët, për çka e fajësoi drejtpërdrejt Mickoskin. Sipas tij, Qeveria nuk ka përgjigje për serinë e rasteve me ujë të ndotur në mbarë vendin dhe se qytetarët po mbeten pa informacione për rreziqet ndaj shëndetit të tyre, ndërkohë që askush nuk po merr përgjegjësi për helmimin e qytetarëve.

MARKETING

Description of image

Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së

“Uji është i ndotur në gjysmën e shtetit: në Gostivar, në Vallandovë, në Shkup dhe në disa komuna të tjera, ndërsa ju nuk keni përgjigje për shumë pyetje. E kujt është përgjegjësia, kush ka kryer kontrollin dhe pse rezultatet nuk janë raportuar dhe publikuar në mënyrë të duhur? Pse nuk i publikoni rezultatet e analizave të ujit në Gostivar? Pse jepni deklarata kontradiktore – ju thoni një gjë, ministri i Shëndetësisë një tjetër, se gjoja uji do të jetë i pijshëm, e më pas thuhet se është vetëm teknikisht i rregullt? Qytetarët janë të hutuar, nuk dinë çfarë të bëjnë dhe nuk dinë kujt t’i besojnë”.

Mickoski  i është përgjigjur liderit opozitar duke e akuzuar atë se, në kohën kur ai ishte ministër i Shëndetësisë, në vitin 2019 kishte raporte për ujë të papërshtatshëm në disa qytete, por ai, siç tha Mickoski, atëherë nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim. Kryeministri shtoi se Prokuroria duhet të merret me këto raste.

Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së

“Raporti i Qendrës së Shëndetit Publik në Prilep për periudhën nga 1 shkurti 2019 deri më 28 shkurt 2019, i referohet qyteteve të Prilepit, Krushevës dhe Makedonski Brodit. Vetë raporti thotë se uji është i papërshtatshëm për shkak të parregullsive bakteriologjike dhe fiziko-kimike të mostrave. Nuk është ndërmarrë, asgjë. Mund t’ju rendis shumë raporte të tilla. Këtu kam një dosje të tërë për Gostivarin dhe rrethinën. Ju keni qenë ministër në atë periudhë. Jo vetëm që gjatë mandatit tuaj digjeshin spitalet modulare, por edhe si mjek nuk iu përmbajtët betimit që keni dhënë. Ju lejuat që qytetarët të konsumonin ujë, i cili, së paku, paraqiste rrezik për shëndetin e atyre që e konsumonin”.

Mickoski më tej informoi se numri i mostrave të papërshtatshme të ujit në Gostivar është në rënie dhe se pret që brenda pak ditësh gostivarasit të kenë ujë të pijshëm të sigurt dhe njëkohësisht, ai i bëri thirrje Prokurorisë të merret edhe me pretendimet e paraqitura në raportet e mëparshme.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING