Komuna e Tetovës: Uji në qytet është i pijshëm
Komuna e Tetovës ka njoftuar qytetarët se, bazuar në analizat e fundit të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), uji i pijshëm në qytet është i sigurt për konsum dhe mund të përdoret lirisht për të gjitha nevojat e përditshme.
Sipas njoftimit, rezultatet e analizave konfirmojnë se cilësia e ujit në rrjetin e ujësjellësit të qytetit plotëson standardet për konsum.
Megjithatë, Komuna bën të ditur se situata është ndryshe për linjën e ujit që furnizon zonën e Kodrës së Diellit. Uji në këtë linjë duhet të përdoret vetëm si ujë teknik dhe nuk rekomandohet për pije, pasi nuk i nënshtrohet procesit të klorifikimit dhe, për pasojë, nuk konsiderohet i përshtatshëm për konsum.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të respektojnë këtë rekomandim, ndërsa për pjesën tjetër të qytetit nuk ka asnjë kufizim sa i përket përdorimit të ujit të pijshëm.

