Cana: Shtatë persona me ethe të Nilit Perëndimor në Klinikën Infektive, njëri vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore
Shtatë persona të konfirmuar me ethet e Nilit Perëndimor janë të shtruar në Klinikën Infektive. Gjendja shëndetësore e njërit prej tyre, një 76-vjeçar nga Shkupi, i cili ndodhet në repartin e kujdesit intensiv të Klinikës Infektive, vazhdon të jetë e rëndë dhe ai është në mbështetje respiratore – deklaroi sot drejtori i Klinikës, Fadil Cana.
Ai theksoi se pacienti në gjendje të rëndë ndodhet në Klinikë prej një jave dhe nuk ka udhëtuar jashtë vendit. Gjashtë pacientët e tjerë të shtruar, sipas doktor Canës, janë mbi 60 vjeç, janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe vetëm njëri prej tyre ka udhëtuar më herët në Greqi.
“Te të gjithë pacientët e hospitalizuar është konstatuar inflamacion viral i trurit dhe i cipave të trurit. Simptomat janë temperaturë e lartë, dhimbje e fortë koke, çorientim dhe çrregullim i vetëdijes”, shtoi dr. Cana për MIA-n.
Personat e hospitalizuar janë infektuar nga pickimi i mushkonjave të infektuara. Periudha e inkubacionit zakonisht zgjat nga 3 deri në 14 ditë pas pickimit, ndërsa shumica e personave e kalojnë infeksionin pa e kuptuar se kanë qenë të infektuar me virusin.

