Vardari mbyll aventurën europiane, eliminohet nga Riga
Vardari i ka dhënë fund garës në arenën europiane në raundin e dytë eliminator të UEFA Conference League, pasi u eliminua nga Riga FC me rezultat të përgjithshëm 8:4.
Skuadra shkupjane zhvilloi një paraqitje të mirë në ndeshjen e kthimit, duke triumfuar 2:1 brenda 90 minutave dhe duke përmbysur disavantazhin 3:2 nga takimi i parë. Megjithatë, rrjedha e ndeshjes ndryshoi ndjeshëm pas minutës së 19-të, kur Vardari mbeti me një futbollist më pak pas kartonit të kuq të Najdovskit.
Pavarësisht rezistencës së madhe, Vardari nuk arriti të përballojë presionin e Riga FC në vazhdime. Ekipi letonez shënoi tre gola në 30 minutat shtesë dhe e mbylli ndeshjen me rezultat 5:2, duke siguruar kalimin në raundin e tretë eliminator të kompeticionit.
Për Vardarin, ky është eliminimi i dytë radhazi në Europë pas vazhdimeve. Shkupjanët më herët u ndalën edhe nga KuPS në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, gjithashtu pas kohës shtesë.
Në përballjen ndaj Riga FC, golat për Vardarin u shënuan nga David Babunski dhe Azer Omeragiq, por mungesa e një lojtari në fushë për pjesën më të madhe të ndeshjes shtesë rezultoi vendimtare.

