LSDM: Mbi 4.000 qytetarë u sëmurën në Gostivar, Klekovski të mbajë përgjegjësi

LSDM: Mbi 4.000 qytetarë u sëmurën në Gostivar, Klekovski të mbajë përgjegjësi

LSDM akuzon Qeverinë dhe institucionet kompetente për, siç thotë, keqmenaxhimin e krizës me ujin e pijshëm në Gostivar, duke pretenduar se si pasojë janë sëmurë mbi 4.000 qytetarë.

MARKETING

Description of image

Nga partia thonë se për 22 ditë qytetarët kanë konsumuar ujë të kontaminuar, ndërsa, sipas tyre, asnjë nga kuadrot e VMRO-DPMNE-së nuk ka ndërmarrë masa për të mbrojtur shëndetin e banorëve të Gostivarit.

“LSDM vlerëson se rezultati është se i gjithë Gostivari është përballur me pasojat e ndotjes së ujit, ndërsa institucionet nuk kanë kryer kontrollet e nevojshme dhe nuk kanë reaguar me kohë”, thuhet në reagimin e partisë.

Partia pohon gjithashtu se ministri i Shëndetësisë, Aleksandar Klekovski, tashmë ka pranuar paraqitjen e rasteve me verdhëz, duke shtuar se kjo ishte paralajmëruar javën e kaluar edhe nga kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Sipas LSDM-së, pranimi i situatës nga Klekovski nuk është i mjaftueshëm dhe ai duhet të mbajë përgjegjësi penale. Nga partia vlerësojnë se ministri nuk ka treguar kapacitet për të menaxhuar krizën, ndërsa akuzojnë institucionet se kanë fshehur të dhënat dhe kanë zhvendosur përgjegjësinë për arsye politike.

“LSDM konsideron se veprimet e institucioneve mund të kenë pasoja serioze për shëndetin e banorëve të Gostivarit dhe se pushteti ka vendosur interesat politike mbi shëndetin e qytetarëve”, thuhet në reagim.

MARKETING