Kremlini: SHBA-ja dështoi të bindë Ukrainën për propozimin e paqes
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se SHBA-ja ka dështuar të bindë Ukrainën, e cila sipas tij është nxitur nga vendet evropiane, që të pranojë një propozim për një marrëveshje paqeje, transmeton Anadolu.
Duke folur për median ruse Vesti, Peskov tha se Moska do të presë ide dhe propozime nga SHBA-ja për një zgjidhje paqësore në Ukrainë, megjithatë, theksoi ai, Rusia do të vazhdojë “operacionin e saj special ushtarak” në mungesë të perspektivave për negociata paqeje.
“Ne po vazhdojmë operacionin tonë special ushtarak. Kjo do të thotë se vazhdojmë t’i arrijmë qëllimet tona përmes mjeteve ushtarake. Po, kjo nuk është rruga e preferuar, por në mungesë të perspektivave për paqe, ne do të vazhdojmë deri në fitoren e plotë”, tha ai.
Peskov tha se Rusia e kishte pranuar marrëveshjen e propozuar nga SHBA-ja, por se Ukraina nuk e kishte bërë këtë.
“Dhe amerikanët nuk arritën t’i bindnin ukrainasit, sepse nuk mundën të ndikonin te ukrainasit, të cilët ishin nxitur nga evropianët”, shtoi ai.
Peskov gjithashtu theksoi se Rusia e njeh dhe e merr parasysh vazhdimin e furnizimeve me armë amerikane për Ukrainën.
Nën ndërmjetësimin e SHBA-së, Rusia dhe Ukraina zhvilluan tre raunde bisedimesh paqeje në janar dhe shkurt, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për konfliktin e armatosur, i cili tashmë ka hyrë në vitin e pestë.
Negociatat më pas u pezulluan, ndërsa Moska dhe Kievi ia atribuuan ndalimin fokusit të SHBA-së te Irani dhe konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme, i cili filloi më 28 shkurt.

