Turqia dënon ashpër bastisjen e Xhamisë Al-Aksa nga Izraeli, të udhëhequr nga një minister

Turqia dënon ashpër bastisjen e Xhamisë Al-Aksa nga Izraeli, të udhëhequr nga një minister

Turqia ka dëmuar “me termat më të ashpër” një bastisje në Xhaminë Al-Aksa, të kryer nga një ministër izraelit, i shoqëruar nga një grup ekstremistësh dhe nën mbrojtjen e forcave izraelite të sigurisë, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

“Ne dënojmë me termat më të ashpër hyrjen me forcë në Xhaminë Al-Aksa nga një ministër izraelit, i shoqëruar nga një grup ekstremistësh dhe nën mbrojtjen e forcave izraelite të sigurisë”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë.

Deklarata rikonfirmoi se komuniteti ndërkombëtar ka një përgjegjësi të përbashkët për të parandaluar “veprimet provokuese dhe përpjekjet për të krijuar fakte të kryera” nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilat cenojnë statusin historik dhe ligjor të vendeve të shenjta në Kuds, veçanërisht Xhaminë Al-Aksa, e cila është një vend adhurimi ekskluzivisht për myslimanët.

Më shumë se 3.200 kolonë izraelitë në mëngjes hynë me forcë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, ndërsa shënonin festën hebraike Tisha B’Av, që përkujton atë që ata e quajnë “shkatërrimi i Tempullit”.

Departamenti i Vakëfit Islam në Kuds tha në një deklaratë se 3.228 kolonë hynë në kompleks gjatë orëve të mëngjesit.

Pritet që më shumë kolonë të hyjnë në kompleks pas namazit të drekës.

Video të shpërndara nga aktivistë të së djathtës ekstreme izraelite treguan kolonët duke kryer lutje kolektive përballë Kupolës së Shkëmbit. Një tjetër video tregoi ngritjen e flamurit izraelit brenda kompleksit, ndërsa pjesëmarrësit këndonin himnin kombëtar izraelit në prani të policisë izraelite.

Më herët, Guvernatori i Kudsit tha në një postim në Facebook se policia izraelite lejoi që numri i kolonëve që hynin në kompleks në secilin grup të rritej në rreth 150 persona.

Forcat izraelite vendosën kufizime të rrepta në portat e xhamisë dhe rreth Qytetit të Vjetër të Kudsit, duke u shpërndarë në mënyrë të gjerë në oborret e saj dhe duke penguar hyrjen e besimtarëve palestinezë.

Vetëm një numër shumë i kufizuar palestinezësh arriti të hynte në xhami për namazin e sabahut para se forcat izraelite të sulmonin disa besimtarë dhe banorë të tjerë.

Guvernatori tha se kolonët “kryen rituale talmudike gjatë ndërhyrjeve, përfshirë mbajtjen e tefilinëve, kryerjen e përuljeve të plota në pjesën lindore të kompleksit dhe brohoritje me zë të lartë”.

Deklarata tha se “grupet ekstremiste që kërkojnë ndërtimin e një tempulli hebre në këtë vend po mobilizonin mbështetësit në përpjekje për të sjellë 5.000 kolonë në kompleks” gjatë ndërhyrjeve të së enjtes.

– Ben-Gvir hyn në kompleks

Guvernatori i Kudsit dënoi hyrjen në kompleks të ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, duke e cilësuar një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe një “shkelje flagrante” të statusit historik dhe ligjor të vendit.

Nga atje thanë se ky veprim është pjesë e “shënjestrimit sistematik të vendeve të shenjta islame” dhe përpjekjeve për të imponuar realitete të reja në xhami.

Po ashtu u theksua se pjesëmarrja e ministrit Ben-Gvir, së bashku me hyrjet e kolonëve dhe grupeve që mbështesin ndërtimin e një “tempulli hebre” në këtë vend, përfaqëson një “ndryshim të rrezikshëm” nga sulmet e grupeve ekstremiste drejt miratimit zyrtar të këtyre veprimeve nga qeveria izraelite.

Guvernatori paralajmëroi se shkeljet mund të kenë pasoja për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve ndërkombëtare të ndërhyjnë për t’i ndalur ato.

Guvernatori theksoi se i gjithë kompleksi i Xhamisë Al-Aksa, me sipërfaqe 144 dunamë, është “një vend adhurimi ekskluzivisht islam”, duke thënë se çdo masë që synon ndryshimin e identitetit ose statusit të tij historik dhe ligjor është “e pavlefshme dhe e paligjshme”.

Edhe deputeti i partisë Likud, Amit Halevi, hyri me forcë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në mëngjes.

MARKETING