Plagosen disa ushtarë të Kuvajtit në sulmet e Iranit me dronë

Plagosen disa ushtarë të Kuvajtit në sulmet e Iranit me dronë

Disa ushtarë kuvajtianë u plagosën sot në mëngjes pasi dronët iranianë shënjestruan objekte dhe baza të shumta ushtarake në vend, tha ushtria kuvajtiane, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, ushtria tha se shefi i shtabit të përgjithshëm gjeneral-lejtnant Khaled Daraj Saad Al-Shuraian dhe zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm zëvendës marshali Sabah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah vizituan anëtarët e plagosur të Forcave Tokësore Kuvajtiane.

Ushtarët u plagosën kur dronët iranianë goditën disa objekte dhe kampe ushtarake të Kuvajtit, tha ushtria pa bërë të ditur numrin e viktimave apo identifikimin e vendeve të shënjestruara.

Gjatë vizitës, komandantët janë njoftuar nga ekipet mjekësore për gjendjen e ushtarëve të plagosur dhe trajtimin që po ofrohet, thuhet në njoftim.

Njoftimi erdhi në mes të një konfrontimi të zgjeruar rajonal midis Iranit dhe SHBA-së. Teherani tha sot se forcat e tij kishin shënjestruar asetet ushtarake amerikane në Kuvajt, Oman, Siri, Jordani, Bahrein dhe Katar në sulme hakmarrëse.

Kuvajti ka thënë më parë se mbrojtja e tij ajrore ka kapur raketat dhe dronët iranianë që synonin vendin.

MARKETING