Kryediplomati turk bën thirrje për vazhdimin e bisedimeve të Stambollit për luftën Rusi-Ukrainë

Kryediplomati turk bën thirrje për vazhdimin e bisedimeve të Stambollit për luftën Rusi-Ukrainë

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan ka deklaruar se vendi i tij beson se vazhdimi i procesit të zhvilluar përmes bisedimeve të Stambollit për luftën Rusi-Ukrainë do të ishte shumë i dobishëm, raporton Anadolu.

“Besoj se do të ishte shumë e dobishme që bisedimet e Stambollit të ndërmjetësuara nga Turqia për luftën Rusi-Ukrainë të vazhdojnë në të njëjtën kornizë”, tha Fidan gjatë një konference të përbashkët për media në Kiev me homologun e tij ukrainas, Andrii Sybiha.

Fidan tha se Turqia po shqyrton qasje të reja strategjike për të kapërcyer ngërçin aktual në konflikt dhe se ide të reja po diskutohen me palët dhe ndërmjetësuesit. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit pa ndërprerje të takimeve të tilla, duke u shprehur: “Fakti që lufta po vazhdon nuk do të thotë se negociatat në këtë format nuk mund të vazhdojnë”.

Sipas tij, pas bisedimeve të Stambollit, negociatorët amerikanë u përfshinë në përpjekjet për të përcaktuar se çfarë mund të bëhej për të arritur një rezultat më përfundimtar dhe konkret. “Fatkeqësisht, sot lufta ende vazhdon dhe rreziku i përshkallëzimit po rritet”, shtoi ai.

Turqia ka pritur bisedime paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, fillimisht në javët e para të luftës aktuale dhe më pas në mesin e vitit 2025.

– “Ne nuk duam që lufta të bartet në Detin e Zi”

Fidan tha se rreziku i përhapjes së konfliktit, për të cilin Turqia ka paralajmëruar që nga fillimi i luftës, mbetet një kërcënim serioz. Ai theksoi se tensionet kanë vazhduar të përshkallëzohen në forma të ndryshme dhe se zhvillimet që kërcënojnë sigurinë e Detit të Zi kanë rritur më tej këto shqetësime.

“Ne nuk duam që lufta të bartet në Detin e Zi. Sulmet ndaj porteve, cisternave dhe anijeve të peshkimit në Detin e Zi, si dhe vënia në rrezik e jetës së civilëve, nuk mund të justifikohen”, tha ai.

– “Turqia ka rënë dakord të udhëheq komponentin detar”

Fidan tha se një nga shtyllat kryesore të çdo marrëveshjeje të mundshme paqeje do të ishin garancitë e sigurisë për Ukrainën, që përfshijnë komponentët tokësor, detar dhe ajror.

Lidhur me rolin e Turqisë, Fidan tha: “Turqia ka rënë dakord të udhëheqë komponentin detar dhe ne kemi një mirëkuptim të përbashkët për këtë me aleatët tanë. Përpjekjet për planifikim në këtë çështje gjithashtu po kryhen nga forcat detare të vendeve aleate përkatëse”.

MARKETING