Begaj nga Samiti në Kiev: Shqipëria mbështet pa lëkundje Ukrainën dhe rrugën e saj drejt BE-së
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Ukrainën gjatë pjesëmarrjes në Samitin Ukraina-Evropa Juglindore 2026, që u mbajt në Kiev, transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetin social amerikan X, Begaj njoftoi zhvilloi një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ku diskutuan forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen evropiane të të dy vendeve.
“Me presidentin Zelenskyy shkëmbyem pikëpamje dhe një vizion të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dypalësh. Diskutuam orientimin e qartë euroatlantik të vendeve tona, të ardhmen tonë të përbashkët evropiane dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Ukrainës”, shkroi Begaj.
Ai theksoi se të dy palët riafirmuan angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në fushat e rimëkëmbjes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik.
Në një postim tjetër nga samiti në Kiev, presidenti Begaj përsëriti mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj përballë agresionit rus.
“Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në çdo mënyrë të mundshme për rimëkëmbjen e Ukrainës, derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”, u shpreh ai.
Begaj shtoi se teksa Shqipëria ndodhet në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), ajo gjithashtu mbështet rrugën evropiane të Ukrainës.
“Ne qëndrojmë përkrah Ukrainës në mbrojtjen e lirisë, avancimin e rindërtimit dhe mbrojtjen e vlerave që e bëjnë Evropën të fortë”, theksoi presidenti shqiptar.

