Irani nuk do të respektojë detyrimet e memorandumit për sa kohë që SHBA-ja shkel angazhimet
Irani tha se nuk do të përmbushë detyrimet e tij sipas memorandumit të mirëkuptimit të ndërmjetësuar nga Pakistani me SHBA-ja për sa kohë që Washingtoni vazhdon të shkelë angazhimet e tij, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei tha në një konferencë për media se qëndrimi i Teheranit mbetet i bazuar në parimin e “angazhimit në këmbim të angazhimit”.
“Ne kemi thënë që në fillim se bëhet fjalë për ‘angazhim në këmbim të angazhimit’. Nëse pala tjetër (SHBA) i përmbahet angazhimeve të saj, ne gjithashtu do të përmbushim angazhimet tona”, tha Baqaei në komentet e tij të cituara nga agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Tasnim.
“Askush nuk mund ta akuzojë Republikën Islamike të Iranit për shkelje të marrëveshjeve. Në të gjitha rastet, detyrimet tona dhe të palës tjetër janë të qarta dhe mund të dokumentohen”, tha ai duke akuzuar Washingtonin për shkelje të seksioneve të ndryshme të memorandumit nën pretekste të ndryshme.
“Për sa kohë që pala tjetër vazhdon të shkelë angazhimet e saj, Republika Islamike e Iranit, nga ana tjetër do të përmbahet nga përmbushja e detyrimeve që ka marrë”, shtoi ai. Baqaei tha se memorandumi i mirëkuptimit ka hyrë në “një fazë krize”.
Paralajmërimi erdhi në mes të tensioneve të përshkallëzuara midis Teheranit dhe Washingtonit pasi SHBA-ja nisi sulme ndaj objektivave ushtarake dhe infrastrukturore në të gjithë Iranin në përgjigje të sulmeve ndaj anijeve tregtare në ngushticën e Hormuzit.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa dhe dronë që kanë shënjestruar objektet ushtarake amerikane në vendet e rajonit ndërsa akuzon Washingtonin për shkelje të vazhdueshme të mirëkuptimit të 17 qershorit. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump më vonë e shpalli memorandumin “të përfunduar”.

