Kamioni përplaset me ekipin e emergjencës në Meksikë, 10 viktima mes tyre dy të mitur
Të paktën 10 persona, mes tyre edhe dy të mitur, kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor në shtetin perëndimor meksikan të Jaliscos. Ngjarja ndodhi në komunën Ostotipaquilo, në drejtim të shtetit Nayarit, ku një kamion mallrash u përplas me një ekip emergjence që po punonte në vendin e një aksidenti të mëparshëm.
Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile, përplasja shkaktoi një zjarr të menjëhershëm, i cili përfshiu disa prej automjeteve të ndodhura në zonë. Aksidenti i parë kishte përfshirë dy kamionë që transportonin mallra, ndërsa ekipet e reagimit të shpejtë kishin mbërritur për të ndërhyrë kur ndodhi përplasja e dytë.
Përveç viktimave, autoritetet raportuan edhe 10 persona të plagosur. Mes tyre janë dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare, të cilët ndodhen në gjendje të rëndë, si dhe katër shtetas amerikanë që kanë pësuar lëndime të lehta.
Autoritetet meksikane kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërsa vijojnë ndërhyrjet në zonë për menaxhimin e pasojave të përplasjes.

