Kryeministri izraelit Netanyahu: Lufta me Iranin “nuk ka përfunduar”

Kryeministri izraelit Netanyahu: Lufta me Iranin “nuk ka përfunduar”

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të enjten se lufta me Iranin “nuk ka përfunduar”, në mes të përshkallëzimit ushtarak mes Teheranit dhe Washingtonit gjatë ditëve të fundit, transmeton Anadolu.

“Lufta nuk ka përfunduar. Ka sfida të reja”, ka thënë Netanyahu gjatë një ceremonie diplomimi të Forcave Ajrore në Bazën Ajrore Hatzerim në jug të Izraelit, cituar nga gazeta Yedioth Ahronoth.

“Ruajtja e epërsisë ajrore është shtyllë themelore e doktrinës së sigurisë kombëtare të Izraelit. Ajo është çelësi për ruajtjen e stabilitetit në Lindjen e Mesme të trazuar”, shtoi ai.

Irani dhe SHBA-ja kanë shkëmbyer sulme gjatë dy ditëve të fundit, në kuadër të përshkallëzimit pas sulmeve iraniane ndaj tri anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Izraeli dhe SHBA-ja nisën sulme të përbashkëta kundër Iranit në muajin shkurt, duke vrarë më shumë se 3.000 persona, përfshirë liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Teherani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit dhe vendeve të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.

Edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, tha se fushata ushtarake kundër Iranit “nuk ka përfunduar”.

“Në tavolinën e planifikimit ka plane të reja. Operacione të mëdha pritet të kemi ende përpara. Jini të përgatitur”, tha ai në një deklaratë të shkurtër.

Irani dhe SHBA-ja arritën më 17 qershor një memorandum mirëkuptimi të ndërmjetësuar nga Pakistani, me synim përfundimin e konfliktit ushtarak mes tyre dhe hapjen e rrugës drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje.

Megjithatë, të mërkurën, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se memorandumi ka “marrë fund”, duke i dhënë fund në mënyrë efektive marrëveshjes dhe duke nxitur një raund të ri përballjesh ushtarake.

MARKETING