(VIDEO) Mickoski: Mbetet e hapur mundësia për konsensus me partitë politike

(VIDEO) Mickoski: Mbetet e hapur mundësia për konsensus me partitë politike

Kryeministri Hristijan  Mickoski, ka deklaruar se  VMRO‑DPMNE mbetet e hapur për konsensus rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.  Mickoski tha se ende pret propozimin e opozitës për Kodin Zgjedhor, në mënyrë që ai të miratohet dhe vendi të përmbushë të gjitha 10 reformat e parashikuara, të cilat duhet të përfundojnë deri në mesin e këtij muaji. Sipas tij, deputetët e shumicës parlamentare kanë një qëndrim të harmonizuar se do të pranojnë çdo propozim të opozitës, për sa kohë ai përfshin rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe votimin e diasporës.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

“Nga ana e grupit parlamentar të shumicës kemi një qëndrim të qartë: Na tregoni çfarë dëshironi, vendoseni në letër dhe ne do ta pranojmë. Kushti i vetëm është që të përfshihet votimi i diasporës. Një njësi zgjedhore? Le të jetë një njësi zgjedhore. Më shumë financim për partitë? Edhe këtë e pranojmë. Madje, ne do të heqim nga pjesa jonë, edhe pse jemi partia më e madhe politike, që ata të marrin më shumë. Nuk kemi asnjë problem. Çfarëdo që mendojnë se duhet të përfshihet, ne do ta mbështesim. Fatkeqësisht, deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga opozita”.

Ai sqaroi se Maqedonia e Veriut kishte 10 reforma që duhej t’i përfundonte deri në fund të qershorit, por afati është shtyrë deri në mesin e korrikut. Sipas tij, Kodi Zgjedhor është reforma e fundit që duhet të miratohet. Mickoski theksoi se edhe pas disa ditësh opozita ende nuk ka arritur një qëndrim të përbashkët.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

“Ne vlerësojmë se mënyra aktuale e votimit të diasporës nuk i përgjigjet kapacitetit real të mërgimtarëve. Ata nuk kanë mundësi të ushtrojnë të drejtën e votës në numër të mjaftueshëm, veçanërisht bashkatdhetarët tanë në Australi, Kanada dhe vendet e tjera përtej oqeanit, të cilët duhet të udhëtojnë me orë të tëra vetëm për të votuar”.

Ai shtoi se veprimet aktuale të Levicës janë vetëm një teatër politik për një numër të vogël votuesish që ende u besojnë atyre. Afati skadon më 15 korrik dhe nga realizimi i kësaj reforme, kryeminsitri tha se  varen rreth 4 milionë euro që Maqedonia e Veriut do t’i merrte nga Bashkimi Evropian.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING