Dy të vdekur dhe dhjetëra të lënduar nga zjarri në një spital në Gjermani
Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 30 të tjerë janë lënduar pas një zjarri që ka shpërthyer në strukturën e çatisë së një spitali në qytetin verior gjerman Ludwigslust në orët e para të së enjtes, raportorjnë mediat lokale duke cituar policinë, transmeton Anadolu.
Sipas informacionit të siguruar nga gazeta BILD, në momentin e zjarrit në ndërtesë ndodheshin 82 pacientë. Zjarri ka shpërthyer në një seksion të spitalit Helene-von-Bulow-Klinikum.
Gazeta “Nordkurier” raportoi se zjarri dyshohet të ketë nisur në konstruksionin e çatisë së ndërtesës së radiologjisë dhe se tymi është përhapur shpejt në gjithë objektin spitalor.
Deri në momentin e raportimit, nuk kishte informacion të saktë për natyrën dhe shkallën e lëndimeve. Policia tha se të paktën një person po i nënshtrohej reanimimit dhe nuk ishte e qartë nëse ky person ishte një nga viktimat.
Pamjet dramatike nga vendngjarja tregonin pacientë duke u nxjerrë nga spitali, disa në shtretër dhe të tjerë në karroca invalidësh. Të veshur me rrobat e spitalit, ata shiheshin në trotuar ose në lëndinën përballë spitalit që po digjej. Tym i dendur përhapej në gjithë kompleksin.

