(VIDEO) Shirat e rrëmbyeshëm dhe breshëri përmbytin kryeqytetin
Reshjet e rrëmbyeshme të shiut, të shoqëruara edhe me breshër, kanë shkaktuar kaos në shumë pjesë të Shkupit. Rrugët e qytetit pothuajse të gjitha janë përmbytur, duke e vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve. Pamjet e siguruara nga Televizioni Shenja tregojnë rrugë të mbuluara nga uji, të cilat në shumë vende janë bërë pothuajse të pakalueshme dhe janë shndërruar në liqene të vogla. Automjetet lëvizin me vështirësi, ndërsa në disa akse rrugore uji ka mbuluar pothuajse tërësisht korsitë e qarkullimit.
Përveç reshjeve intensive, situatën e ka rënduar edhe breshëri, i cili për disa minuta goditi pjesë të qytetit, duke shtuar vështirësitë në komunikacion dhe duke shkaktuar shqetësim te qytetarët.
Qytetarë të shumtë publikuan në rrjetet sociale fotografi dhe video nga lagje të ndryshme të kryeqytetit, ku shihet se kanalizimet nuk kanë arritur ta përballojnë sasinë e madhe të ujit. Kujtojmë se rreshje shiu të ngjajshme ka pasur edhe gjatë pasditës së djeshme, të cilat erdhën pas temperaturave përvëluese.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura, të kenë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve dhe të ndjekin rekomandimet e institucioneve kompetente deri në normalizimin e situatës.
Samir Mustafa /SHENJA/

