Gashi dhe Papuashvili paralajmëruan intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Gjeorgji më 30 qershor dhe 1 korrik, zhvilloi sot një takim me kryetarin e Parlamentit të Gjeorgjisë, Shalva Papuashvili.
Sipas njoftimit të kabinetit të Gashit, gjatë takimit u diskutua për avancimin e bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë, tregtisë, turizmit dhe lidhjeve ndërmjet komuniteteve të biznesit të dy vendeve.
“Diskutuam për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, rritjen e shkëmbimeve në turizëm dhe krijimin e lidhjeve më të ngushta ndërmjet komuniteteve tona të biznesit, si hap konkret për shfrytëzimin e potencialit që ekziston mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin e kryeparlamentarit.
Bashkëbiseduesit vlerësuan edhe vendimin për heqjen e regjimit të vizave ndërmjet dy vendeve, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm që lehtëson lëvizjen e qytetarëve dhe krijon mundësi të reja për bashkëpunim.
“Vendimi për heqjen e vizave ka afruar qytetarët tanë dhe ka hapur rrugë për më shumë kontakte, shkëmbime dhe mundësi të reja zhvillimi”, thuhet më tej në njoftim.
Vizita e Gashit në Gjeorgji synon forcimin e marrëdhënieve parlamentare dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë në fusha me interes të përbashkët.

