Mickoski: Kam marrë propozimet e VLEN-it dhe ZNAM-it për ministrat e rinj
Kryeministri Hristian Mickoski bëri të ditur se tashmë i ka pranuar propozimet e koalicioneve VLEN dhe ZNAM për ministrat e rinj që do të jenë pjesë e Qeverisë së rikonstruar, duke vlerësuar se emrat e propozuar janë të pranueshëm dhe se pret që përbërja e re qeveritare të japë rezultate edhe më të mira.
“Po, i kam marrë propozimet për ministrat e rinj nga VLEN dhe ZNAM, por do t’ua lë atyre që t’i bëjnë publike. Për mua këto propozime janë plotësisht në rregull dhe pres që në përbërjen e re të kemi rezultate edhe më të mira”, deklaroi Mickoski.
Komentet ai i bëri gjatë vizitës në Komunën e Kisella Vodës, ku inspektoi projektet që po realizohen me financim nga kredia hungareze.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se, në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë, VLEN do të udhëheqë me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.
Mickoski nuk zbuloi emrat e kandidatëve të propozuar, duke theksuar se publikimi i tyre do të bëhet nga vetë partnerët e koalicionit.

