VLEN: Komunat shqiptare nuk presin më, ato ndërtohen
VLEN njoftoi se, falë angazhimit të tij në Qeveri, aktualisht janë në realizim 306 projekte në komunat shqiptare, të cilat, sipas tyre, përfaqësojnë një qasje të re ndaj investimeve publike dhe zhvillimit lokal.
Në një komunikatë për media, VLEN thekson se për vite me radhë komunat shqiptare kanë mbetur në margjinat e investimeve, ndërsa projektet zhvillimore, sipas tyre, janë orientuar nga interesat partiake dhe jo nga nevojat e qytetarëve.
Sipas njoftimit, vetëm gjatë ditëve të fundit janë promovuar ose kanë avancuar katër projekte infrastrukturore në komuna të udhëhequra nga VLEN. Bëhet fjalë për promovimin e rrugës “Sami Frashëri” në Tetovë, përfundimin e rrugës Dëbërcë–Çiflik në Zhelinë pas më shumë se tre dekadash pritjeje, nisjen e punimeve për rrugën Rakovec–Bogovinë, si dhe vazhdimin e investimeve në rrugën “Fuad Dibra” në Dibër.
Nga VLEN vlerësojnë se këto projekte dëshmojnë se investimet publike po realizohen në bazë të nevojave të qytetarëve dhe jo të interesave politike, duke shtuar se standardi i tyre matet me projektet e realizuara dhe rezultatet konkrete në terren.
Në fund të reagimit, koalicioni thekson se synon të vazhdojë me investime infrastrukturore dhe projekte zhvillimore, duke i cilësuar ato si dëshmi të një modeli të ri qeverisjeje të bazuar në punë dhe përgjegjësi.

