Mickoski zbuloi vetëm emrat e ministrave të VMRO-së, për VLEN-in dhe ZNAM-in tregoi vetëm resorët
Kryeministri Hristijan Mickoski bëri të ditur ndryshimet e reja në përbërjen e kabinetit qeveritar, duke konfirmuar emrat e disa ministrave të rinj, ndërsa nuk ka zbuluar se kush do të drejtojë resorët që do t’u takojnë partnerëve të koalicionit, VLEN dhe ZNAM. Sipas Mickoskit, Gjoko Vellkovski do të emërohet ministër i Punës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, pasi deri më tani ushtronte funksionin e zëvendësministrit në këtë dikaster. Resorin e Shëndetësisë do ta drejtojë Sasho Klekovski, drejtori aktual i Fondit për Sigurim Shëndetësor, ndërsa në krye të këtij institucioni do të emërohet ministri i deritanishëm i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski. Ndërkohë, ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale do të jetë Ivan Stoilkoviq, ndërsa Erxhan Demir do të marrë postin e ministrit pa resor për Integrim dhe Implementim të Strategjisë për Përfshirjen e Romëve, raporton SHENJA.
“VMRO-DPMNE në vijim do të drejtojë resorin Ministria e Punës Sociale, Demografi dhe të Rinj dhe atje ministër do të jetë, zëvendësministri i deritanishëm, Gjoko Vellkovski. VMRO do të drejtojë Shëndetësinë dhe ministër do të jetë Sasho Klekovski, drejtor i deritanishëm i FSSH. Në vend të tij do të vijë ministri i deritanishëm për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski. Ndërsa ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale do të jetë Ivan Stoillkoviq. Ministër pa resor për Integrim dhe implementim të Strategjisë për përfshirjen e romëve do të jetë Erxhan Demir. Nga partia politike VLEN, ministra të rinj do të emërohen në Ministrinë e Drejtësisë, Kulturës dhe Turizmit dhe Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Ministrisë së Kulturës, ndërsa ZNAM do të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Ajo që dua të theksoj është se posti i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë nuk do të ekzistojë më si dikaster i veçantë në Qeveri, por ky portofol do të jetë drejtpërdrejt nën kompetencat e kryetarit të Qeverisë”, tha Mickoski
Kryeministri konfirmoi se nga VLEN do të emërohen ministra të rinj në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, si dhe në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, ndërsa ZNAM do të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Megjithatë, ai nuk bëri publikë emrat e kandidatëve për këto poste.
Ai sqaroi se nuk dëshiron t’i bëjë publikë zyrtarisht emrat e ministrave të propozuar nga partnerët e koalicionit, pasi, siç tha, ende nuk i ka marrë zyrtarisht propozimet e tyre.
“Emrat nuk do t’i them, sepse ende nuk i kam marrë zyrtarisht”, tha Mickoski.
Megjithatë, në opinion tashmë përfliten disa emra. Për postin e ministrit të Drejtësisë, emri që përmendet më së shumti është ai i profesorit universitar Jeton Shasivari. Në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit pritet gjithashtu të ketë ndryshime, ndërsa sipas informacioneve, Bekim Sali do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e ministrit për Çështje Evropiane.
Nga ana tjetër, për drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë, siç tha edhe kreu i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, është propozuar Borçe Serafimovski, i cili aktualisht ushtron funksionin e sekretarit shtetëror në këtë institucion.
Mickoski njoftoi gjithashtu se posti i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë do të shfuqizohet si dikaster i veçantë dhe se kompetencat e këtij portofoli do të kalojnë drejtpërdrejt nën përgjegjësinë e kryeministrit.
Sa i përket zëvendësministrave, ai tha se ata do të zgjidhen nga shtatori.

