Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore: Qytetarët do të mund të deklarohen si dhurues organesh pas vdekjes

Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore: Qytetarët do të mund të deklarohen si dhurues organesh pas vdekjes

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime mjekimi, duke krijuar mundësinë që çdo qytetar madhor të deklarohet personalisht nëse dëshiron të jetë dhurues organesh pas vdekjes.

MARKETING

Description of image

Ligji u miratua me procedurë të shkurtuar, me 58 vota pro dhe 6 kundër. Nga Ministria e Shëndetësisë vlerësojnë se ndryshimet forcojnë ndjeshëm kornizën ligjore dhe institucionale për dhurimin e organeve dhe transplantimin në vend.

Një nga risitë kryesore është zgjerimi i rrethit të dhuruesve të gjallë, duke mundësuar që organe të dhurojnë edhe të afërmit deri në shkallën e katërt të farefisnisë. Çdo rast do të shqyrtohet nga një Komision Etik, i cili do të vlerësojë nëse vendimi është marrë në mënyrë vullnetare dhe do të kujdeset për parandalimin e çdo keqpërdorimi të mundshëm.

Po ashtu, ligji parashikon krijimin e një moduli të ri digjital në sistemin “Termini Im” (Moj Termin), përmes të cilit qytetarët do të mund të shprehin qartë vullnetin e tyre nëse dëshirojnë të jenë dhurues organesh. Deklarimi do të jetë i sigurt, me verifikim të dyfishtë, ndërsa qytetarët do të kenë të drejtë ta ndryshojnë ose ta tërheqin vendimin e tyre në çdo kohë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ligji i miratuar përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi më funksional, më efikas dhe më dinjitoz për dhurimin e organeve dhe transplantimin, në interes të pacientëve dhe të shëndetit publik.

“Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të sistemit të transplantimit, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe ndërtimin e besimit, sepse dhurimi i organeve i jep kuptimin më të lartë humanizmit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

MARKETING